Gratë në politikë, Topi: Mos u bëni si burrat
Kryetari i shtetit, Bamir Topi, këshillon gratë që hyjnë në politikë, që të bëjnë kujdes dhe të mos bëhen si burrat, duke hequr dorë nga natyrshmëria. Presidenti i Republikës vlerësoi dje angazhimin e grave në politikë si dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Por nisur edhe nga tonet e përdorura në jo pak emisione televizive të fushatës, z. Topi kritikoi një pjesë të tyre dhe kërkoi që gratë të mos humbin natyrshmërinë, edhe pse politika zhvillohet në një ambient të ashpër ku ndonjëherë ka edhe bërryla. “Zonjat të mos humbin natyralitetin e tyre. Edhe kur të rreshtohen nëpër kampe të ndryshme, duhet që zonjat të zhvillojnë një debat shumë elegant, që të mos jetë i ngjashëm me debatin e ashpër të politikanëve. Kemi nevojë për një zbutje të toneve parlamentare”, - u shpreh Topi. Presidenti reklamoi emërimin e grave nga ana e tij në krye të disa institucioneve të rëndësishme, ku spikat emri i kryeprokurores Ina Rama. Por ai lëshoi kritikat e tij ndaj indiferencës së treguar lidhur me dhunën ndaj dy grave para Kryeministrisë. “Do ta quaja të papranueshme që asnjë zë nga zonjat të mos prononcohet për ngjarjen e dhunimit të dy grave”, - u shpreh Topi. Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i shtetit tha se 30% femra nuk mjafton për të zbutur Parlamentin nga agresiviteti mashkullor. Edhe ambasadori Withers, i pranishëm në ceremoni, u bëri thirrje grave të mos kënaqen me 30% të vendeve në Kuvend. Sipas tij, qëllimi nuk është arritja e kuotave në listë, por të zënë vendin që u takon. “Kërkoj nga gratë që të mos kënaqen me këtë nivel, po të kenë gjithnjë ambicie dhe kërkesa në një shoqëri të barabartë. Mbështetja juaj dhe puna juaj bashkë me aktorët e tjerë të shoqërisë, mund të sjellë ndryshim të thellë. Jam i bindur se ju do ta bëni këtë ndryshim”, - u shpreh Withers. Instituti Demokratik Amerikan ka mbyllur fazën e dytë të programit të zhvillimit të liderëve të rinj politikë në Shqipëri, ku janë diplomuar një grup vajzash dhe grash, një pjesë e të cilave radhiten në listat e kandidateve për deputet.