E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, bllokohen përkohësisht transferimet në burgje



Situata zgjedhore ndihet mjaft edhe në burgjet shqiptare. Fillimisht me procesin e aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti për afro 5 mijë të dënuar, dhe tashmë pezullim të çdo lëvizjeje nga një burg në tjetrin për 40 ditë, derisa të përfundojë procesi zgjedhor më 28 qershor. Shkak për këtë bllokim të lëvizjeve të të dënuarve është bërë situata zgjedhore dhe dërgimi i listave nga drejtoritë e burgjeve për numrin e të dënuarve që votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky pezullim i transferimeve të të dënuarve nga njëri burg në tjetrin, sipas zëvendësdrejtorit të burgjeve, Lulzim Kodra, bëhet për shkak të regjistrimit të të dënuarve në lista. Ndërkohë që pritet që në çdo drejtori burgu të dërgohet një udhëzim për këtë fakt, ndërkohë që me kodin e vjetër elektoral ka qenë e përcaktuar në një nen të tij, moslëvizja e të dënuarve 40 ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë që burimet zyrtare nga burgu 302 bëjnë të ditur se udhëzimi që u është dhënë për të paraburgosurit, të cilët dihet që me marrjen e vendimit të formës së prerë kalojnë në kampet e vuajtjes së dënimit, duhet të vënë në dijeni burgun përkatës për shtimin në listë të emrit të të dënuarit dhe heqjen e emrit të tij nga lista paraprake kur ishte në paraburgim. Ky udhëzim i është dhënë çdo paraburgimi apo burgu në vend.

Kartat e identitetit

Një element i rëndësishëm në zgjedhjet e qershorit është edhe aplikimi i të gjithë të dënuarve për karta identiteti, si dhe pajisja e një pjese të dënuarish me to. Deri para ditës së zgjedhjeve mësohet se të gjithë të dënuarit apo të paraburgosurit do të kenë në dorë kartat e identitetit. Janë afro 5 mijë të dënuar, të cilët prej disa javësh janë përfshirë në procesin e aplikimeve të kartave të identitetit, proces që është zhvilluar në ambientet e burgjeve, ku u ngritën zyra që mundësonin aplikimin. Ky proces u mundësua falë një marrëveshjeje të përbashkët të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët spostuan zyrat dhe i ngritën pranë burgjeve të vendit. Procesi ka ecur normalisht dhe pjesa më e madhe e të dënuarve kanë aplikuar për karta, të cilat sipas vendimit të qeverisë, i përfitojnë falas. Por, sipas burimeve zyrtare, ka pasur edhe të dënuar që nuk kanë preferuar të aplikojnë për karta identiteti dhe bëhet fjalë kryesisht për të dënuar të sëmurë me të meta mendore, por edhe të tjerë.

Aktiviteti

Sportklub “Tirana”, fituesit e kampionatit shqiptar, dhurojnë për burgun 302 dhe të dënuarit e këtij burgu një shumë prej 300 mijë lekësh, donacion që pritet të përdoret për pajisjen dhe pasurimin e bibliotekës së këtij burgu, si dhe nevoja të tjera të të dënuarve. Përmes një aktiviteti të organizuar nga drejtoria e këtij burgu dhe stafi përbërës, në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen në burgjet shqiptare, të paraburgosurve të burgut 302 u është bërë dje një surprizë nga ekipi fitues i kampionatit shqiptar, “Tirana”. I gjithë ekipi, i kryesuar edhe nga presidenti Refik Halili, për rreth një orë u kanë dhënë kënaqësi me praninë e tyre dhe bisedat miqësore “banorëve” të shtëpisë, të paraburgosurve. Por, kënaqësia më e madhe e të paraburgosurve është edhe prania e përditshme e njërit prej pjesëtarëve të këtij ekipi, portierit Blendi Nallbani, i cili punon si specialist edukimi në këtë burg. Gjatë aktivitetit, gazetari Bedri Alimehmeti prezantoi dy botime për dy mjeshtra të sportit, Skënder Halili dhe Arben Minga, të cilat iu dhuruan bibliotekës së burgut 302. Këto nuk ishin të vetmet botime, pasi burgut iu dhuruan edhe një numër i madh librash të tjerë. Sipas burimeve zyrtare nga ky burg, një javë më parë u zhvillua një tjetër aktivitet në këtë burg, ku kanë qenë të pranishëm dy aktorët e humorit, Juli Deda dhe Gentian Zeneli. Po gjatë aktivitetit të djeshëm, zëvendësdrejtori Lulëzim Kodra prezantoi edhe drejtorin e ri të burgut, Eduard Gjoni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›