E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bechtel", gjobë 357 milionë dollarë në Amerikë

Rënia e një blloku betoni që shkaktoi një të vdekur gjatë ndërtimit të tunelit Big Dig në Amerikë, i ka kushtuar vetëm kompanisë "Bechtel Infrastructure" një gjobë prej 357 milionë USD
Bashkë me firmën tjetër ndërtuese dhe me konsulentin e saj, gjoba në total shkon në 458 milionë dollarë
Edhe para se të ndodhte aksidenti fatal, tuneli Big Dig kishte hasur në probleme të tjera, si disa vonesa në ndërtim dhe shpenzime shtesë.
Kompania amerikane "Bechtel Infrastructure", që po ndërton edhe rrugën Durrës-Kukës në Shqipëri, ka marrë një gjobë të majme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një aksidenti që ndodhi gjatë punimeve për ndërtimin e tunelit Big Dig. Pagesa, që në total shkon në 458 milionë dollarë, do të lehtësojë firmën nga akuzat kriminale për vdekjen e shtetases 38-vjeçare Milena Del Valle, e cila u vra kur një bllok betoni nga tavani i tunelit ra mbi makinën e saj. Marrëveshja i jep fund kalvarit 16-vjeçar të ndërtimit të tunelit Big Dig, një prej më të shtrenjtëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas marrëveshjes, "Bechtel Infrastructure" do të paguajë shumën e 357.1 milionë dollarëve, kompania tjetër e konsorciumit "Parsons Brinckerhoff" do paguajë 50 milionë dollarë dhe firma siguruese dhe këshilluese do të paguajë pjesën tjetër prej 51.1 milionë dollarësh. Firmat kontraktuese mbeten financiarisht përgjegjëse për çdo ngjarje katastrofike, të cilat i kushtojnë 50 milionë dollarë për dëmtime në ndërtim dhe mbi 100 milionë dollarë për incidente të rënda. Marrëveshja nuk e liron firmën "Bechtel Parsons Brinckerhoff" nga përgjegjësia e çdo incidenti që mund të ndodhë për një periudhë 10 vjeçare, shprehet avokati Majkell Sullivan. Drejtuesit e firmës "Bechtel" kanë shprehur keqardhje për vdekjen aksidentale të 38-vjeçares. Edhe para se të ndodhte aksidenti fatal, tuneli Big Dig kishte hasur në probleme të tjera, si disa vonesa në ndërtim dhe shpenzime shtesë. Si fillim, tuneli u tha se do të kushtonte më pak se 3 miliardë dollarë, por shifra u fry më vonë. "Bechtel" ndodhet në gjyq dhe për një padi civile të ngritur nga bashkëshorti i Millena Del Valle, i cili momentin e aksidentit ndodhej në makinë, por që i mbijetoi aksidentit. Në maj 2006, 6 punonjës të një firme zvicerane e cila siguronte çimenton, u arrestuan për akuzën e konspiracionit pasi paraqitën të dhëna false mbi projektin. Në korrik të vitit 2007, kompania ra dakord që të paguante një gjobë në shumën e 50 milionë dollarëve për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›