E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit”, heqin dorë nga avokatët, i mbyllin gojën Colit



Me largimin nga salla e gjyqit dhe zhveshjen nga funksioni i mbrojtjes për të gjithë avokatët, të pandehurit e “Bandës së Durrësit” i prenë ligjëratën të penduarit Adriatik Coli, pikërisht në momentin që ky i fundit nisi të japë dëshminë e shumëpritur. Ndërprerja që krijoi kaos dhe tension në sallën e gjyqit ndodhi në momentin kur prokurori i drejtoi pyetjen Colit se si u krijua organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha e Klodian Saliu dhe ku ndodhej ai në ato vite. Sapo i penduari nisi të flasë dhe pa përfunduar gjysmën e fjalisë, të gjithë si grup të pandehurit tentuan të braktisin sallën e gjyqit. Në këtë moment të seancës, togat e zeza urdhëruan mbylljen e kafazit dhe moslejimin e të pandehurve të dalin nga gjyqi. Këtij reagimi iu shtua edhe ai i avokatëve, të cilët iu drejtuan gjykatës se klientët e tyre nuk ishin ushtarë që t’i mbanin me urdhër në kafaz si në ushtri, duke vendosur unanimisht braktisjen e seancës të urdhëruar edhe nga të pandehurit. Dalja e avokatëve njëri pas tjetrit nga salla e gjyqit solli dështimin e dëshmisë së të penduarit e për pasojë edhe të seancës së djeshme, e shumëpritur nga prokurorët dhe e shtyrë prej dy vjetësh nga të pandehurit me lojërat e tyre të marrjes dhe heqjes dorë të avokatëve të tyre apo dhe duke braktisur vetë sallën e gjyqit.

Seanca

Në orën 09:00 ka filluar si çdo të enjte seanca me dyer të mbyllura për “Bandën e Durrësit”. Në supermasa sigurie është sjellë në gjyq edhe i penduari Adriatik Coli, i shoqëruar nga një autoblind dhe makina të shumta policie. Gjatë legjitimimit të palëve në seancë, togat e zeza zëvendësuan me avokatë kryesisht disa nga avokatët që mungonin, duke bërë të mundur hapjen e seancës dhe dhënien e fjalës prokurorit Anton Martini. Në momentin që prokurori i drejtoi pyetjen e parë të penduarit Coli dhe ky filloi të përgjigjej, të pandehurit kanë vendosur të braktisin sallën e gjyqit, por nuk janë lejuar nga trupa gjyqësore që ka dhënë urdhër të mos lejohen të dalin nga kafazi. Në këtë moment, i pandehuri Sardian Sulejmani urdhëroi avokatin e tij, Detar Hysi, të braktisë sallën e gjyqit, madje duke e zhveshur nga funksioni i avokatit. Këtë veprim kanë bërë me radhë të gjithë të pandehurit e tjerë, duke i prerë mundësinë e dhënies së dëshmisë të penduarit Coli. Ashtu si dhe në çdo seancë të shtyrë deri më sot, kryesuesi i trupës gjyqësore vendosi të vërë në dijeni për situatën Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë për të marrë masa në zhbllokimin e ngërçit, në të cilin ndodhet prej më se dy vitesh ky proces. Të pandehurit e këtij procesi janë Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Indrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Breu, Ahmet Ajeti e Osman Korpuzi, të cilët akuzohen për krijim të organizatave kriminale dhe kryerjes së veprave penale përmes kësaj organizate.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›