E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha ; Të luftojmë fenomenet kriminale që ushqejnë terrorizmin



Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u shpreh se duhen luftuar të gjithë elementët kriminalë që ndihmojnë terrorizmin, pasi ky kontribut ndihmon në përmbushjen e angazhimeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Deklarata e tij u bë gjatë ceremonisë së diplomimit të 24 oficerëve të policisë që përfunduan me sukses një kurs trajnimi të financuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, për parandalimin e aktiviteteve terroriste.

“Duhet të kontribuojmë dhe të luftojmë të gjithë bashkë në front të gjerë kundër të gjitha fenomeneve kriminale që ushqejnë terrorizmin. Ky kontribut ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe zë një vend të veçantë në përmbushjen e angazhimeve tona për përfitimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh ai gjatë ceremonisë, ku ishte e pranishme edhe zëvendësambasadorja amerikane, Deborah Jones.

Ministri Basha falënderoi Ambasadën e SHBA-së për ndihmën e vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe u shpreh se lufta kundër terrorizmit është një platformë, ku bazohet bashkëpunimi mes të dy vendeve. Numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se “është pikërisht ky partneritet strategjik, falë të cilit Shqipëria u anëtarësua në NATO, që parashikon rritjen e kapaciteteve për të kontribuar më shumë kudo në botë në luftën kundër terrorizmit, si dhe për të parandaluar këtë rrezik global, i cili nuk është i izoluar, por i lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme”.

Nga ana e saj, ambasadorja e SHBA-së falënderoi oficerët e policisë për dedikimin dhe angazhimin e treguar për të përfituar përvojën e duhur nëpërmjet këtij kursi trajnimi, duke vlerësuar se është në interesin e përbashkët që në përballjen me sfidat e sigurisë të ketë një bashkëpunim sa më të mirë të agjencive të zbatimit të ligjit.

Gjithashtu, ajo siguroi se Ambasada e SHBA-së dhe qeveria amerikane do të vijojnë mbështetjen për përmirësimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit. Të 24 pjesëmarrësit që përfunduan këtë kurs trajnimi janë aftësuar të identifikojnë informatorë potencialë, të përdorin survejimet për të gjetur vendndodhjen, vendet e grumbullimit të terroristëve, të intervistojnë të dyshuar dhe dëshmitarë në hetime që kanë lidhje me terrorizmin, të kuptojnë metodat e financimit të terrorizmit, të zhvillojnë një sistem të dhënash për të gjurmuar informatorët dhe për të verifikuar informacionin e informatorëve.

Ndërkohë që gjatë këtij kursi u trajtuan si tema kryesore: të drejtat e njeriut, rrymat e terrorizmit, survejimi, financimi i terrorizmit, krijimi i një njësie të parandalimit të terrorizmit e menaxhimi i informacionit.

Në ceremoninë që u zhvillua me rastin e përfundimit të këtij kursi trajnimi mori pjesë gjithashtu edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, shefi i Zyrës Rajonale të Sigurimit, Dennis San Miguel, si dhe funksionarë të tjerë të kësaj zyre dhe të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›