E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetërsimi i pronave, priten të tjera arrestime në Durrës



Skandali me lejet e ndërtimit në Komunën problematike të Rrashbullit ka vite që është nën hetimin e organit të akuzës. Komuna e Rrashbullit është hetuar për akuzat e “dhënies së lejeve të ndërtimit, duke shkelur kushtet urbanistike” qysh para disa viteve, ku ish-deputeti Bajramaj ishte jurist. Asokohe, organi i akuzës kishte ngritur edhe një grup pune, gjithashtu kishte kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ardhjen e një ekipi ku të verifikonte denoncimet dhe të kontrollonte dokumentacionin e KRRT nga periudha 2002-2005. Fjala është për rreth 119 vendime, të cilat rezultojnë me shkelje ligjore dhe të miratuara nga KRRT e Komunës Rrashbull, mbi troje me pronar shtetin dhe pronarë të tjerë që dergjeshin dyerve të gjykatave për të ndryshuar mbivendosjet në pronat e tyre në bregdet. E thënë ndryshe, vendimet e miratuara duke shkelur ligjin janë të barabarta me afro 1000 objekte në krejt zonën bregdetare, e cila ndodhet nën juridiksionin e Komunës së Rrashbullit. Nga sektori i Plepave deri tek Përroi i Agait, si dhe në dy fshatra të tjerë në bregdet, shtrihet zona ku KRRT e Komunës së Rrashbullit ka miratuar lejet e ndërtimit të pallateve 8 deri 10-katësh, vilave dhe hoteleve, madje edhe mbi shinat e trenit, pa pyetur se ato janë pronë e shtetit apo private. Sipas burimeve tepër konfidenciale nga Prokuroria e Durrësit (pasi asnjeri nuk pranon të prononcohet lidhur me hetimet), mësohet se shtatë prej ish-drejtuesve dhe zyrtarëve aktualë të Urbanistikës dhe anëtarë të KRRT së komunës janë marrë të pandehur në gjendje të lirë. Hetimet për tjetërsimin e pronave në bregdet janë duke u bërë nga njësia Task-Force pranë Prokurorisë së Durrësit, e drejtuar nga prokurori Dritan Rreshka. Por, ka qenë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka zbuluar se “vendimi me nr. 6 i Këshillit të Ministrave datë 01.06.2006”, i cili pezullonte të gjitha studimet urbanistike në vijën Rrashbull-Golem-Karpen-Përroi Agait, nuk është zbatuar nga KRRT e Rrashbullit, mosrespektimi i këtij vendimi si dhe 119 vendimet e tjera nga KRRT që binin ndesh me ligjet e Urbanistikës, por edhe kallëzimet penale të 16 pronarëve të komplekseve turistike kanë detyruar Prokurorinë t’i kërkojë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës masën “arrest me burg” për ish-deputetin e PD-së, Flori Bajramaj, si dhe të zgjerojë rrethin e hetimit duke përfshirë edhe zyrtarë të tjerë. Arrestimi i Flori Bajramajt e Pasho Beqirit u realizua dy ditë më parë, në orët e pasdites së djeshme, vetëm pesë orë pasi gjykata kishte prerë në mungesë fletë-arrestin. Ndërkohë që nga burime të besueshme bëhet e ditur se nën hetim është edhe kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi.

Kryetari i komunës, nën hetim

Tre vite më parë Komuna e Rrashbullit dhe vendimet e Komisionit të Rregullimit të Territorit janë bërë objekt i specialistëve dhe ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka ndenjur gjatë në komunë dhe ka dalë me konkluzione se Gashi dhe disa punonjës në komunë kanë shkelur ligjin, duke i propozuar prokurorisë të nisë hetimet penale. Kryetari i Komunës së Rashbullit në Durrës, Hysen Gashi, dy vite më parë ka qenë në ndjekje penale nga prokuroria e rrethit për “shpërdorim detyre” në lidhje me dhënien e një numri të madh lejesh për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi. Kryetari i kësaj komune akuzohej se ka firmosur një numër të konsiderueshëm lejesh ndërtimi për objekte 2 ose 3-katëshe, të cilat në fakt janë kthyer në ndërtime shumëkatëshe në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Prokuroria e Durrësit ka depozituar 119 vendimet e depozituara nga KLSH, të cilat janë cilësuar si vendime abuzive nga KRRT e Komunës Rrashbull. Për këtë arsye, prokuroria ia ka ngarkuar çështjen zëvendësprokurorit të rrethit, Alket Mersini, i cili po merret me dosjen në fjalë. Hetimi në lidhje me aktivitetin e kryekomunarit ka ardhur pas raportit të KLSH-së për kontrollin e bërë në lidhje me veprimtarinë e kësaj komune gjatë periudhës 2004, 2005 dhe 2006. Grupi i punës ka nisur të verifikojë të gjitha ndërtimet që janë kryer në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke filluar nga ish-komanda e NATO-s deri tek Përroi i Agait, aty ku mbaron kufiri administrativ i komunës. Shkeljet për të cilat është akuzuar se janë bërë nga kryetari i komunës, Hysen Gashi, kanë të bëjnë me dhënien e shesheve dhe lejeve te ndërtimit në kundërshtim me ligjin. Në fakt, që në ditët e para të fillimit të hetimit, dosja ndaj Gashit është fryrë menjëherë për shkak të një numri të madh ndërtimesh që janë kryer në këtë zonë. Konkretisht Hysen Gashi, si kryetar i komunës dhe kryetar i KRRT-së së komunës, akuzohet për 109 vendime që nuk janë dërguar në Prefekturën e Qarkut Durrës për miratim, për 50 dosje në të cilat mungon dokumenti i pronësisë së truallit, ku është bërë ndërtimi, si dhe për 80 dosje të tjera në të cilat ndërtimet 2-3-katëshe që parashikoheshin në lejen e miratuar, janë kthyer të ndërtime që nuk kanë respektuar këto kondicione, duke shtuar secili ndërtim nga 3-4 kate të tjera. Grupi i punës në Prokurorinë e Durrësit që është ngritur për këtë qëllim, ka nisur të shqyrtojë një dokumentacion voluminoz për të gjitha ndërtimet që janë bërë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, zonë e cila njihet si zona më e populluar nga ndërtimet që fillojnë nga 2, 3 deri në 10-katëshe. Grupi i punë s’po synon aktualisht në grumbullimin e provave dhe më pas çështja do të regjistrohet me emër nga organi i akuzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›