Aksidentet në vend; Tre të vdekur dhe dhjetë të plagosur në 24 orë
Aksidentet në rrugët e vendit kanë sjellë sërish viktima dhe të plagosur.
Ditën e djeshme humbën jetën tre persona, ndërsa dhjetë të tjerë u plagosën në katër aksidente të ndryshme. Aksidentet ndodhën në rrethet e Fierit, Korçës dhe Elbasanit dhe Vlorës. Sipas burimeve zyrtare, dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën në dy aksidente të ndryshme në aksin rrugor Lushnjë-Fier.
Aksidenti i parë ndodhi në vendin e quajtur “Rotonda”, kur një mjet me targa greke është përplasur mbi të. Për pasojë humbi jetën drejtuesja e mjetit, ndërkohë që u plagos rëndë bashkëshorti i saj. Sipas burimeve nga policia, shkak i aksidentit ishte shpejtësia e madhe me të cilën po lëvizte mjeti, por edhe mungesa e sinjalistikës. Aksidenti i dytë ndodhi disa orë më vonë, kur një automjet tip “Benz” me targa TR 0528 C është përplasur me një bankinë në aksin Fier-Lushnjë. Si pasojë e përplasjes humbi jetën shtetasi Gjergj Prenga, ndërsa mbetën të plagosur Fatmir Deda dhe Luigj Kola. Ndaj të plagosurve u dha ndihma e parë, duke i dërguar ata në spitalin e qytetit. Ndërkohë që në vendngjarje shkoi edhe policia. Sipas burimeve, dyshohet se shkak i përplasjes ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën lëvizte mjeti.
Në Vlorë një automjet me targa greke, që drejtohej nga Arjan Qesko, ka përfunduar në humnerë, ndërsa ishte duke lëvizur përgjatë rrugës në qafën e Llogorasë. Si pasojë e përplasjes, 45-vjeçari ka gjetur vdekjen. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për shkaqet e aksidentit.
Në Elbasan, pas daljes nga rruga të një automjeti, mbetën të plagosur drejtuesi i saj dhe një pasagjer. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, kur
Samir Laloshi, duke drejtuar mjetin e tij tip “Golf” me targa EL 0114B në rrugën rurale Elbasan-Godolesh, humbi kontrollon e mjetit, duke dalë nga rruga. Përplasja ka qenë e fortë dhe drejtuesi i mjetit dhe 55-vjeçari Ismail Musta, pasagjer në makinë, mbetën të plagosur. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila ngriti një grup pune për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Drejtuesi i mjetit, Laloshi, u shoqërua në komisariat, ku ai akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndërkohë që në Korçë mbetën të plagosur katër persona si pasojë e një aksidenti që ndodhi në aksin rrugor Sheqeras-Libonik, pranë urës mbi lumin Devoll. Sipas burimeve nga policia, automjeti me targa CF 381 NZ që drejtohej nga 41-vjeçari Eduart Isai ka dalë nga rruga dhe pas përplasjes me bordurën e urës ka rënë në lumin Devoll.
Në makinë ishin edhe katër persona të tjerë, Loreta Isai, 34 vjeçe, Adriana Hamzallari, 40 vjeçe, Ali Bacelli, 63 vjeç dhe Anila Tahirllari, 33 vjeçe, të cilët mbetën të plagosur. Ndaj tyre u dha ndihma e parë, duke i dërguar në spitalin e qytetit në Korçë. Pas mjekimit të marrë, ata janë jashtë rrezikut për jetën.