E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, kaos dhe kërcënime në gjykatë

Kërcënohen me jetë
gjyqtarët dhe prokurorët
e Bandës së
Durrësit. Dy kapobandat
e qytetit të Durrësit, Lulzim
Berisha dhe Indrit Dokle, që janë
sjellë prej dy ditësh për gjykim në
Gjykatën e Krimeve të Rënda,
kanë përjashtuar dje avokatët e
tyre, gjatë kohës që në seancë po
dëshmonte i penduari Adriatik
Coli. Kaq ka mjaftuar që ndërmjet
palëve të nisin kërcënimet.
Gjyqtarët ishin përgatitur që seanca
të zhvillohej me avokatë të
caktuar kryesisht. Në këtë moment
ka ndërhyrë Indrit Taullaj, i
pandehur, anëtar i bandës, duke
deklaruar se: "Do ta shihni, në rast
se më jepni një avokat që nuk e
dua". Situata i ka dalë nga duart
kreut të trupit gjykues, Gurali Brahimllarit,
i cili, krahas avokatëve
dhe të pandehurve, dje kishte
kundër edhe prokurorët, të cilët
kërkonin shpjegime për këtë situatë
të krijuar. Në këtë kohë,
avokatët e Lulzim Berishës, Arben
Qeleshi dhe Ilia Ilia, kanë dalë jashtë
seancës, pasi "klienti" i tyre i
pushoi. Në këtë moment trupi
gjykues ka ndërprerë seancën,
duke i dërguar Ministrisë së
Drejtësisë dhe Prokurorisë së
Përgjithshme kërkesat për përjashtimin
e avokatëve dhe prokurorit.
Në fund nuk kanë munguar as
"kërcënimet" e të penduarit, të
cilat i janë adresuar avokatëve.
"Vazhdoni të mos vini në proces,
se plumbin do të hani" i ka paralajmëruar
Coli ata.
Kërcënimet
Gjyqi ndaj Bandës së Durrësit
ka dështuar dje për të 78-ën herë,
këtë radhë mes kaosit, akuzave
dhe kërcënimeve. Për gati dy vjet,
çdo të enjte mbi 50 forca të "Briskut"
sjellin në sallë të pandehurit
dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë,
Adriatik Coli, por pavarësisht
masave dhe kostos, drejtësia deri
më tani nuk ka arritur të dëgjojë
dëshminë e tij. Edhe atëherë kur
Gjykata e Krimeve të Rënda arriti
t‘i mblidhte në seancë të gjithë
avokatët e asaj që prokuroria e
quan si "Banda e Durrësit", sërish
gjyqi dështoi. Sapo gjykata ka urdhëruar
boshatisjen e sallës nga
mediat për të dëgjuar dëshminë e
Adriatik Colit, kanë reaguar të pandehurit,
duke shkaktuar edhe
ndërprerjen e seancës. I pandehuri
Lulzim Berisha ka shkarkuar nga
mbrojtja dy avokatët e tij Arben
Qeleshi dhe Ilia Ilia, duke shkaktuar
edhe tension në seancë.
Gjykata ka urdhëruar zëvendësimin
e tyre me avokatë të
shtetit dhe për tre të pandehur të
tjerë, të cilët do të jenë të dubluar
në rast se kolegu i tyre mungon.
Por Endrit Taullai, thanë burimet,
kërcënoi gjykatën dhe prokurorinë
me shprehjen: "Do ta shihni,
në rast se më jepni një avokat që
nuk e dua". Avokatët, të cilët për
mbi 75 seanca janë bërë molla e
sherrit edhe për palën e prokurorisë
kanë nxitur edhe të penduarin
Adriatik Coli t‘i kërcënojë ata me
paralajmërimin: "Vazhdoni të mos
vini në proces, se plumbin do të
hani". Në fakt, zvarritja e këtij procesi
me mungesën e qëllimshme
të avokatëve ka precedencë të
mëparshme edhe në gjyqin e njohur
si "Kokaina". Në atë kohë, mungesa
e avokatëve e vuri drejtësinë
përpara pamundësisë për të
vijuar gjykimin dhe gjykatësit pas
disa muajve me radhë e zhbllokuan
situatën pikërisht me
formulën që tentoi të përdorë
gjykatësi Gurali Brahimllari, përjashtimin
e avokatëve dhe zëvendësimin
e detyrueshëm të tyre.
Dje, seanca e 78-të
Avokatët e të pandehurve në
procesin e njohur ndryshe si "Banda
e Durrësit" vazhdojnë të shtyjnë proceset gjyqësore. Dje ka
qenë seanca e 78-të që nuk është
zhvilluar si pasojë e mungesës së
avokatëve. Një seancë më parë,
një prej avokatëve, Riza Hicka, i
kishte dërguar trupit gjykues një
letër ku i njoftonte se në të njëjtën
orë kishte një gjyq në Gjykatën e
Tiranës. Gjykata e Krimeve të Rënda
verifikoi kërkesën dhe rezultoi
se avokati gënjente. Nisur nga kjo
e dhënë, trupi gjykues iu drejtua
Dhomës Kombëtare të Avokatisë
për masë disiplinore ndaj avokatit
në fjalë. Dy seanca më parë, palët
në proces u përfshinë në replika të
ndërsjella, kur njëri nga avokatët
kishte justifikuar mungesën e tij
me një raport mjekësor të lëshuar
nga një mjeke pediatre. Prokuroria
kërkoi zëvendësimin e këtij
avokati me një avokat kryesisht, si
edhe njoftimin e Ministrisë së
Drejtësisë për marrjen e masave
disiplinore ndaj avokatëve të tjerë
mungues në proces. Ndërkohë, tri
seanca më parë, kryesuesi i trupit
gjykues, Gurali Brahimllari, bëri
me dije në sallën e gjyqit se ky
proces po zvarritej në mënyrë të
qëllimshme nga avokatët. Të pandehurit
po shtyjnë seancat gjyqësore,
pasi i druhen pyetjes se të
penduarit dhe bashkëpunëtorit të
drejtësisë, Adriatik Coli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›