E Diel, 1 Nëntor 2026

Solis: Berisha po "pushkaton" politikisht drejtorët tanë

Pas vendimit për largimin nga koalicioni i djathtë dhe bashkimin me koalicionin e majtë, PBDNJ-ja ka filluar të marrë goditjet e sistematike në anëtarësinë e saj. PD-ja duket se nuk e ka pranuar një lëvizje të tillë vetëm një muaj para zgjedhjeve dhe ditët e fundit, sipas PBDNJ-së, kanë nisur sulmet ndaj njerëzve të kësaj force politike, duke shkarkuar në pak ditë 18 drejtorë në mbarë vendin. Kjo u bë e ditur dje nga sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leondard Solisi, gjatë një konference për shtyp, ku ky i fundit theksoi se "që pas largimit të PBDNJ-së nga koalicioni qeverisës, me urdhër të strukturave të larta të PD-së janë larguar nga puna menjëherë drejtorët që aderojnë në partinë tonë". Mjaft i shqetësuar, Solis theksoi se veprimi i qeverisë për shkarkimin e drejtorëve të PBDNJ-së është një veprim arbitrar dhe totalisht politik. "Nga mënyra e ekzekutimit ka qenë e tipit partizançe. Gjykata partizane vendosi lirimin dhe emërimin. Linçime të tilla, ekzekutime të tilla me ‘pushkatim administrativ‘ nuk i bëjnë nder një shteti ligjor në shekullin XXI dhe për Evropën ku aspirojmë të shkojmë", deklaroi deputeti i PBDNJ-së Leonard Solis. Sipas tij, këto shkarkime nuk duhet të ndodhnin, sepse pothuajse të gjithë ata që sot punojnë në administratë dhe përfaqësojnë PBDNJ-në, e kanë fituar vendin e punës në bazë të një konkursi dhe me ligj ata nuk mund të hiqen nëse nuk konstatohen shkelje gjatë punës së tyre. Drejtuesi i PBDNJ-së, Solis, kritikon PD-në dhe qeverinë për shkelje të ligjeve në fuqi, pasi drejtorë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët kandidojnë për deputetë, vazhdojnë të mbajnë akoma postet e tyre. "Në lidhje me administratën, me lojërat e kryera mbi administratën, duhet theksuar se në shumë ministri drejtorë të përgjithshëm, sekretarë të përgjithshëm të ministrive, kandidojnë me forcat e djathta, gjë që është në kundërshtim flagrant me ligjin dhe asnjë lloj mase nuk merret", konstatoi Solis. Deputeti i PBDNJ-së deklaroi se forca e tij politike do të vazhdojë të denoncojë çdo herë shkarkimet dhe sjellje antiligjore të qeverisë dhe PD-së ndaj njerëzve të PBDNJ-së, të cilët aktualisht mbajnë poste politike. Miqësia mes PD-së dhe PBDNJ-së ka marrë fund gati dhjetë ditë më parë, kur kjo e fundit vendosi që në zgjedhjet e 28 qershorit të mos ishte pjesë e koalicionit të djathtë të drejtuar nga Sali Berisha, por e koalicionit të majtë të drejtuar nga Edi Rama. Lëvizje që nuk u prit mirë nga kreu i mazhorancës, i cili në publik e kaloi pa bërë shumë komente, ndërsa në strukturat lokale nisi "gjuetia e shtrigave" ndaj anëtarëve dhe militantëve të PBDNJ-së, të cilët prej katër vitesh mbanin poste të ndryshme në administratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›