Banda e Durrësit, kërkesa e të pandehurit shtyn seancën
Tiranë - Procesi gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj Bandës së Durrësit ka dështuar, duke sjellë kështu dështimin e seancës së radhës. Edhe pse në seancën e djeshme kanë qenë të gjithë avokatët e të pandehurve, shkak kanë qenë sërish ata që seanca të përfundojë pa nisur mirë. Një debat i fortë mes tyre bëri që avokati Vangjel Muzina i të pandehurit Selman Heti të largohet duke sabotuar procesin. I pandehuri kërkoi avokat dhe kërkoi që seanca të mos vazhdojë pa praninë e avokatit të tij. Në këto kushte, gjyqtari nuk vazhdoi seancën që është në fazën e dëgjimit të dëshmive. Nga 67 seanca gjyqësore që duhet të zhvilloheshin, deri tani janë zhvilluar vetëm 14. Shumica është shtyrë për mungesë të avokatëve mbrojtës. Banda e Durrësit cilësohej si një ndër bandat kriminale më të rrezikshme në vend. Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin bregdetar. Kjo bandë dyshohet si autore e një seri vrasjesh të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, trafikim lëndësh narkotike etj.
3 Prill 2009