E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia për divorc, si do ta ndajë gjykata pasurinë e Inva Mulës dhe Pirro Çakos

Gjyqtarja e çështjes do të vendosë për shtëpitë, makinat dhe llogaritë bankare. Në proces pritet të vendoset edhe për kujdestarinë e djalit të tyre, Antonit

Laureta Rryçi

Tiranë - Divorci i Inva Mulës me Pirro Çakon pritet të sjellë pasojat e tij. Arsyeja që duket se i ka mbajtur ligjërisht të martuar deri sot sopranon e njohur me këngëtarin është pikërisht pasuria. Ndërsa nuk kanë mundur ta zgjasin më këtë ndarje de facto, asnjëri prej tyre nuk mund ta shmangë dot ndarjen e pasurisë. Kësaj here nuk do të jetë në dëshirën e tyre, por ligji i Kodit të Familjes do të caktojë ndarjen e pasurisë që rezulton në emrin e tyre. Çifti zotëron pasuri të konsiderueshme në llogari bankare, ashtu edhe në prona. Procesi civil do të vendosë jo vetëm se si do të ndahet kjo pasuri, por edhe mbi kujdestarinë e djalit të tyre të vetëm. Tashmë padia i ka kaluar fazat e para të procedurës në gjykatë duke përcaktuar si gjyqtare Elona Gjokën. Fillimisht ajo pritet të njihet me objektin e padisë, argumentet që ka dhënë sopranoja për t’u divorcuar nga bashkëshorti i saj dhe më pas të caktojë dhe datën e parë të nisjes së procesit civil. Do të jetë në gjykimin e gjyqtares se cili nga personazhet e njohura do të dalë më i varfër apo më i pasur nga një martesë 20-vjeçare.
Pasuria
Do të jetë gjykata që do të vendosë për shtëpitë e tyre, llogaritë bankare, makinat dhe çdo pasuri që deri dje e menaxhonin së bashku. Në seancën e parë palët do të ftohen për ta zgjidhur çështjen me kompromis, ose e thënë ndryshe të gjejnë midis tyre mundësinë për t’u pajtuar. Nëse ata dëshirojnë të dy që martesa e tyre të përfundojë në divorc, do të nisin procedurat e tjera. Në këtë fazë, gjykatësja do të njihet nëpërmjet dokumenteve zyrtare mbi pasurinë e çiftit. Kodi i ri i Familjes ka përcaktuar se pasuria e çiftit që mbërrin në divorc duhet të ndahet përgjysmë, pavarësisht se cila palë ka kontribuar më shumë. Ndërsa çështja e dytë, po aq e rëndësishme, është kujdestaria e fëmijës dhe shpenzimet që duhet të mbulojë pala tjetër. Mësohet se djali i çiftit do të pyetet në prezencën e psikologes se me cilin prind dëshiron të qëndrojë. Në gjykatë padia për dy personazhet mban mbiemrin Tchako dhe mësohet se ky ndryshim është bërë në Francë për efekt shqiptimi.
Padia
Prej dy ditësh, sopranoja ka kërkuar zyrtarisht ndarjen nga bashkëshorti i saj pas 20 vitesh martese, fryt i së cilës është edhe djali, tashmë 14-vjeçar. Pas disa ditësh do të caktohet edhe data për zhvillimin e seancës ballafaquese mes çiftit. Padia është depozituar nga ana e sopranos dhe ende nuk dihet reagimi i kantautorit Pirro Çako. Çështja mban numrin 7644 dhe datën e regjistrimit 31 mars 2009. Kërkuese është këngëtarja Inva Tchako (Mula), ndërsa i paditur bashkëshorti i saj Pirro Tchako (Çako). Në uebsajtin e gjykatës thuhet se objekti i padisë është zgjidhja e martesës midis dy bashkëshortëve Mula–Çako, mbështetur kjo kërkesë në Nenet 129-162 të Kodit të Familjes.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›