Vendimi, 9 vjet burg për 5 trafikantët e klandestinëve
FIER - Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dënuar me 9 vjet burg pesë persona të akuzuar për dhënie ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit. Trupi gjykues përfundoi dje çështjen penale në ngarkim të shtetasve Almir Troka, Bledar Kumanaku, Qazim Kumanaku, Gazmend Kumanaku dhe Neshet Bimaj. “Mbi këta shtetas rëndon akuza e ndihmës në kalimin e paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi material”, - thanë burimet e gjykatës. Që në fillim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje penale, nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre u kërkua aplikimi i gjykimit të shkurtuar gjë që u pranua nga gjykata.
Dënimi u dha pasi u provua se 5 personat, në prill të vitit 2008, u kapën duke transportuar klandestinë në fshatin Livadhja të Gjirokastrës, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë. Në fund të këtij gjykimi, gjykata shpalli fajtor të pandehurit: Almir Troka, i cili u dënua me 5 vjet burgim, pas aplikimit të uljes së një të tretës së dënimit dhe me një gjobë prej 5 milionë lekësh, Bledar Kumanaku, i cili u dënua me katër vjet burgim dhe me një gjobë prej katër milionë lekësh, Gazmend Kumanaku, që do të vuajë katër muaj burg, Qazim Kumanaku me një muaj burg, kurse Neshet Bimaj ka dalë nga burgu, pasi mbi të rëndonte vetëm akuza e moskallëzimit të veprës penale.
Grabiten zyrat e financës së firmës dhe më pas digjen
LEZHË – Disa persona kanë thyer zyrat e financës së një kompanie të prodhimit të tullave. Pasi kanë marrë paratë që ndodheshin brenda në kasafortë, kanë djegur ndërtesën për të zhdukur gjurmët. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mesditën e djeshme. Sipas tyre, nga arka e firmës së tullave “Milis” janë zhdukur rreth 4 milionë lekë të reja. Grupi i ekspertëve që mbërriti në vendin e ngjarjes konstatoi se zjarri ishte i qëllimshëm, pasi u vunë re vjedhje në kasafortën e financës. Ky përfundim u mbështet edhe në dëshmitë e punonjësve të zyrës për shumën e parave që kishte brenda. Nuk dihet ende se si kanë mundur të depërtojnë autorët brenda ndërtesës, duke qenë se objekti ruhet me roje. Për momentin, policia njofton se nuk ka asnjë person të ndaluar, ndërkohë që nuk bëhet me dije nëse ka apo jo të shoqëruar. Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë në kohë dhe nuk është lejuar që ai të përhapet për të vënë në rrezik godina të tjera.
Apeli lë në qeli shefin e Inspektoratit të Ndërtimit
GJIROKASTËR - Gjykata e Apelit në Gjirokastër la në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për të dyshuarin e tetë, i akuzuar si shkaktar i tragjedisë së 9 nëntorit, ku si pasojë e shembjes së pallatit pesëkatësh humbën jetën tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit në Gjirokastër nuk ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për shtetasin Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, ndaj të cilit ishte dhënë masa e sigurisë "arrest në burg" për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh, i ngritur në një kodër, në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë ndaluar dhjetë persona, mes të cilëve edhe dy pronarët e firmës “Arti Sh.p.k.”. Dy prej shtetasve që janë në grupin e të akuzuarve po gjykohen në gjendje të lirë.
5 Dhjetor 2008