Banda e Durrësit, padi penale për nxjerrjen e sekretit në media
TIRANË - Prokurorët e Krimeve të Rënda regjistruan të mërkurën në Prokurorinë e Tiranës një padi penale në lidhje me disa të dhëna të publikuara në një të përditshme rreth deklarimeve të shtetasit Adriatik Coli në procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Lulzim Berisha, i cili akuzohet si kreu i bandës së Durrësit. Në një njoftim për shtyp, dhënë dje nga Prokuroria e Përgjithshme, thuhet se nisur nga të dhënat e publikuara në një të përditshme në datat 1, 2 dhe 3 mars 2008 rreth deklarimeve të shtetasit Adriatik Coli, në procesin penal që po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, në ngarkim të të pandehurit Lulzim Berisha etj., prokurorët e Krimeve të Rënda që përfaqësojnë këtë çështje, kanë paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kallëzimi lidhet me veprimin penal të ndalimit të dhënies dhe shpalljes së të dhënave që përbëjnë sekret, në kundërshtim me ligjin, të parashikuar në nenin 313 germa ”b” të Kodit Penal. “Në bazë të këtij kallëzimi është regjistruar procedimi penal dhe çështja është duke u hetuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë që ditën e sotme, sipas këtij njoftimi, për të njëjtin fakt, në Prokurorinë e Përgjithshme është paraqitur një kallëzim penal nga mbrojtësi i të pandehurit Lulzim Berisha, i cili do t'i bashkëngjitet për hetim procedimit penal të regjistruar më parë në Prokurorinë e Tiranës.
6 Mars 2008