Inspektorati Teknik i Naftës, kontroll për cilësinë e hidrokarbureve
Abuzimet me cilësinë dhe sasinë e hidrokarbureve që blihen nga shoferët në pikat e tregtimit me pakicë për mjetet e tyre duket se vazhdon me gjithë kontrollet e herëpashershme. Nisur nga kjo, Inspektorati Teknik i Naftës dhe Gazit ka nisur ditët e fundit në kryeqytet, por dhe në rrethe, kontrollet nëpër subjektet e tregtimit pas njoftimeve se shitësit e këtyre produkteve mashtronin me blerësit duke u shitur atyre naftë pa cilësi. Inspektorati Teknik ka kryer kontrolle në disa pika karburantesh për të verifikuar cilësinë e hidrokarburit që tregtonin ato. Kontrollet, përveç cilësisë së hidrokarbureve, kanë pasur në shënjestër edhe aparatet e pompave të këtyre lëndëve, të cilat në mjaft raste kanë qenë të manipuluara nga tregtarët. Objekt kontrolli janë bërë dje disa pika karburantesh në kryeqytet, në të cilat dyshohej prej kohësh se nafta “D2” shitej për naftë “D1” te shoferët.
6 Mars 2008