Shqipëria, pjesë e programit ndërkombëtar për statistikat e turizmin
Shqipëria do të jetë një nga 12 vendet e zgjedhura nga Organizata e Turizmit Botëror të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e një sistemi statistikor për turizmin (TSA), në përputhje me standardet ndërkombëtare. Organizata Holandeze për Zhvillim (SNV), po përgatit zbatimin e një programi modern për nxjerrjen e statistikave të sakta të sektorit të turizmit në vendin tonë. Sistemi statistikor për turizmin “TSA” është një proces i standardeve të larta bashkëkohore, që i mundëson vendeve të zhvillojnë një bazë të dhënash që do t‘u lejojnë t’i përcaktojnë dhe t‘i kuptojnë më mirë tregjet e tyre turistike. SNV ka punuar në sektorin e turizmit në Shqipëri që prej tre vjetësh. Në 2006-n ajo asistoi Ministrinë e Turizmit në hartimin e Ligjit të ri “Për turizmin”, si dhe e mbështeti atë në marrjen e Fondeve të Programit të OBT-së “Turizëm i qëndrueshëm - eliminim i varfërisë”. Projekti “TSA” fillon në prill 2008 me organizimin e një programi trajnues për ministrinë dhe përfaqësuesit e agjencisë së statistikave dhe do të mbarojë në dhjetor 2009.
6 Mars 2008