E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshehja e të ardhurave, një në qeli, tjetri në hetim të lirë

TIRANË – Dy vëllezër janë ndaluar nga policia për evazion fiskal, kontrabandë dhe prodhim e shitje të ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin mallrave pa licencë. Burime nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se dje ka nisur hetimi ndaj dy vëllezërve Ilir dhe Mario Beqari, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, pasi dyshohen për një sërë veprash penale mes tyre “fshehje të të ardhurave” dhe “kontrabandë”. Kështu, ndaj shtetasit Ilir Beqari, 22 vjeç, uniformat blu kanë ekzekutuar masën e arrestit të dhënë nga prokuroria, ndërkohë që vëllai i tij, Mario, do të hetohet në gjendje të lirë. Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Ilir Beqari u kap pasi dyshohet se ka goditur me grushte dhe kërcënuar me armë dy shtetase. Më pas, nga kontrolli i ushtruar në banesë, në garazhin dhe magazinën në pronësi të tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një automatik model 56, me dy krehra pa fishekë dhe një pistoletë tip “TT”, me 9 fishekë.
Po ashtu, forcat e policisë sekuestruan në magazinën në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Komuna e Parisit” Tiranë, edhe 100 tonë kafe kontrabandë në formën e tjetërsimit të mallit. Bëhet e ditur gjithashtu se të dy shtetasit e sipërcituar posedojnë në pronësi të tyre dy firmat “Kristi sh.p.k” dhe “Koffe Trading”. Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas për një periudhë kohore të vitit 2007 deri në mars 2008, dyshohen të kenë futur në Shqipëri nga pika të ndryshme të kalimit kufitar kafe kontrabandë në formën e tjetërsimit të mallit.
Burimet zyrtare sqaruan se shtetasit Ilir Beqari iu sekuestrua edhe 240 litra vaj ulliri në garazhin e tij, pasi dyshohet se e prodhonte në ambiente jo të përshtatshme. Mësohet se grupi hetimor i ngritur për këtë çështje po punon edhe për të konkluduar në shifrën e saktë të fshehjes së të ardhurave nga kontrabanda, ndërsa materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “kanosje”, “fshehje të të ardhurave”, “mospagim të taksave dhe tatimeve” dhe “prodhim të shitjes së ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›