Qeveria, projektvendim për tabelat e rrugëve dhe ndërtesave
Qeveria, projektvendim për tabelat e rrugëve dhe ndërtesave. Gati plani për shpërndarjen e tabelave të rrugëve dhe ndërtesave. Ministria e Rendit dhe pushteti vendor ngarkohen për zbatimin e vendimit
Shaban Sulçe
Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e parë për të plotësuar një prej kërkesave më të rëndësishme që janë të lidhura me realizimin e reformave për marrjen e ftesës së integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian. Konkretisht, Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Rendit, ka hartuar dhe ka gati një projektvendim që mbështet dhe ezauron kërkesën për të pasur një sistem të saktë adresash në Shqipëri. Projektvendimi për “Përcaktimin e specifikimeve teknike të tabelave të emërtimeve të parqeve, shesheve, bulevardeve, rrugëve dhe të numërtimit të ndërtesave” është miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që është ngarkuar Ministria e Rendit dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e tij. Këto të fundit do të përballojnë nga buxheti i tyre shpenzimet për tabelat e adresave. 10 bashkive më të mëdha të vendit do t’u vijë në ndihmë për përballimin e shpenzimeve një financim prej 1 milion dollarësh, të akorduar nga Banka Botërore, në kuadër të projektit “Për menaxhimin e tokës”.
Projektvendimi
Projektvendimi ka si qëllim të përcaktojë formën, përmasat, materialin, llojin dhe formatin e shkrimit të tabelave për emërtimin e një parku, sheshi, bulevardi, rruge ose rrugice, si dhe të tabelave për numërtimin e ndërtesave, hyrjeve dhe apartamenteve. Në nenin 1 të këtij projektvendimi përcaktohet forma, përmasat, materiali, llojit të shkrimit dhe përmasave të shkronjës në tabelat që do të përdoren për emërtimin e një parku, sheshi, bulevardi, rruge ose rrugice. Ndërkohë që Neni dy i këtij projektvendimi përcakton formën, përmasat, llojin dhe lartësinë e shkrimit në tabelat që do të përdoren për numërtimin e një ndërtese, hyrje dhe apartamenti.
Relacioni
Në relacionin shoqërues për këtë projektvendim thuhet se kuadri ligjor për krijimin dhe zbatimin e sistemit të adresave në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga Ligji numër 9270, datë 29.07.2004 “Për sistemin e adresave”. Në relacionin shoqërues nënvizohet se hartuesit e këtij projektvendimi kanë marrë në konsideratë edhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian. Në të thuhet se përmasat e parashikuara të tabelave lejojnë lexueshmëri të qartë në distancë dhe në lëvizje. Gjithashtu theksohet se në tabelat për emërtim propozohet lloji i shkrimit “Arial Bold”, ndërsa në ato për numërtim “Times New Roman” për shkak të pozicionit të tabelës në terren si dhe karakteristikave të germave për llojin e shkrimit.
Objeksionet
Ministria e Rendit, e cila ka qenë edhe hartuesja e këtij projektvendimi, e ka dërguar atë për mendim në disa dikastere, të cilat kanë dhënë objeksionet dhe vërejtjet e tyre. Kështu, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, kanë dhënë sugjerime dhe kanë shprehur objeksione të caktuara në lidhje me pika të caktuara të këtij projektvendimi. Sipas asaj çka bëhet të ditur në këtë relacion, pjesa më e madhe e këtyre objeksioneve dhe sugjerimeve janë marrë parasysh nga hartuesit e projektvendimit, gjë e cila është reflektuar edhe më pas në përbërjen e tij.
6 Mars 2008