Kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda letër Presidentit Topi
Vangjel Kallço: “Më larguan 5 vite përpara se të mbaronte mandati”. Ankesa e tij do të përfshihet për diskutim në mbledhjen e radhës së KLD-së
Laureta Rryçi
Tiranë - Kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda i bën letër presidentit Bamir Topi për heqjen e mandatit. Burime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohuan dje për gazetën “Albania” se kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda, Vangjel Kallço, e ka konsideruar të padrejtë përfshirjen e emrit të tij mes 13 kryetarëve të tjerë për mbarim të mandatit. Letra e tij, që ka mbërritur në tavolinën e kreut të shtetit, që është në të njëjtën kohë dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pritet që të përfshihet për diskutim në mbledhjen e radhës të KLD-së. Ndërkohë Kallço realisht është i komanduar në atë detyrë derisa të përzgjidhet zëvendësuesi i tij për shkak se posti i tij figuron si vend vakant midis të tjerëve në faqen zyrtare të internetit të KLD-së.
Letra
Kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda, i gjendur përballë vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për largimin nga posti, ka vendosur t’i shkruajë presidentit për ta vënë në dijeni për shkeljen që po bëhet ndaj tij. Letra i është dërguar për dijeni edhe Këshillit, duke paraqitur argumentet ligjore se përse Kallço nuk duhet të jetë pjesë e asaj liste. Sipas tij, funksioni i Gjykatës së Krimeve të Rënda rregullohet me një ligj të posaçëm. Ky ligj përcakton se mandati i kryetarit të gjykatës është 9-vjeçar. Për këtë arsye, Kallço i është drejtuar presidentit Topi që të shfuqizojë vendimin e mëparshëm të KLD-së, që i përket detyrës së tij. Të njëjtat burime shpjegojnë se kjo letër pritet të kthehet në një debat mes anëtarëve të Këshillit, ku do të sqarohet nëse ky vendim ka ardhur si pasojë e ndonjë përllogaritjeje vitesh gabim apo janë shqyrtuar rregullat ligjore dhe Kallço duhet të heqë dorë nga posti i kryetarit.
vendimi
KLD-ja pak ditë më parë shkarkoi nga detyra 14 kryetarë gjykatash. Kufizimi i mandatit ka larguar nga posti që kishin prej disa vitesh pjesën më të madhe të drejtuesve të gjykatave në vend. Burime zyrtare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohuan se vendimi që kryetarët të kenë mandat të kufizuar, vetëm 4 vjet, u mor pak ditë më parë. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe presidenti, në cilësinë e kryetarit të Këshillit. Tani e tutje çdokush që do të zgjidhet kryetar do të jetë me mandat të kufizuar. Këtë fat nuk kanë pasur vetëm kryetarët e gjykatave të qyteteve të vogla, por edhe të qyteteve kryesore, duke përfshirë dhe Durrësin e Tiranën. Ky ishte një nga këto ndryshime që u vendos në mbledhjen e djeshme të KLD-së, ku u përcaktua që periudha e qëndrimit në detyrë të drejtuesve të gjykatës të kufizohet në afat kohor, duke u përcaktuar mandati prej 4 vjetësh në funksionin drejtues të gjyqtarit, si kryetar apo zëvendëskryetar i gjykatës. Gjithashtu, po në këtë vendim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë konkludoi që për kryetarët e Gjykatave të rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave të Apelit, të cilët tashmë kanë mbushur 4 vjet në ushtrimin e funksionit drejtues, mandati i ushtrimit të këtij funksioni, në zbatim të këtij ndryshimi dhe kësaj situate të re të përfundimit të qëndrimit në funksionin drejtues, do të konsiderohet i mbaruar.
6 Mars 2008