Tregtonin lëndë narkotike, katër në pranga
TIRANË – I kishin prej kohësh në vëzhgim, por vetëm dje është bërë i mundur ndalimi i tyre. Burime të sigurta thanë për gazetën se uniformat blu të kryeqytetit, pas një operacioni të koduar “Stacioni”, arrestuan dy ditë më parë katër persona nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”, si dhe sekuestroi 100 gramë pluhur e dyshuar heroinë dhe 60.5 gramë e dyshuar si Canabis sativa. Policia e Tiranës bëri të ditur se të arrestuarit janë: Rezart Karaj, Hemiado Vata, Elvis Ponari e Altin Dedja. Arrestimi i 19-vjeçarit Karaj u krye pasi ai është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, ku gjatë kontrollit të ushtruar iu gjetën dhe sekuestruan 60.5 gr me gjithë ambalazh, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Canabis sativa. Ndërsa Vata, Ponari dhe Dedja u kapën në flagrancë në bulevardin “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit, gjatë momentit që këta shtetas po përgatiteshin për të shkëmbyer sasinë e lëndës narkotike. Burimet thanë se të arrestuarve, në cilësinë e provës materiale, u është sekuestruar sasia prej 100 gramësh pluhur i dyshuar narkotik i llojit heroinë, 60.5 Canabis sativa, dy mjete tip “Audi” A4 dhe “Volkswagen” golf 3, si dhe një dorezë metalike për të cilën dyshohet se është armë e ftohtë. Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”.
6 Mars 2008