E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vjet pas krizës globale

Prof.Dr. Anastas Angjeli 

Dy vjet pas tronditjes ekonomike e financiare, më e madhja e pas Luftës së Dytë Botërore, që u shndërrua në një krizë të përmasave globale, vendet me ekonominë më të fuqishme  të botës, të inkuadruara në grupimin e G-20, kanë intensifikuar përpjekjet, kanë shtuar angazhimin e tyre (vetëm në harkun kohor të jo më shumë se 5-6 muajve, G-20 është mbledhur tri herë), dhe me propozime, veprime e masa konkrete kanë diskutuar dhe priten të diskutojnë (24-25 shtator në Pitsburgh) e të vazhdojnë të veprojnë, për dhe mbi gjendjen e ekonomisë globale të sistemit financiar ndërkombëtar.
Kriza globale që u shoqërua me një recension ekonomik të menjëhershëm në ekonomitë e shumë vendeve të zhvilluara, si në SHBA dhe në vendet e BE-së, me gjithë ”qëndresën e fortë të aleancës antikrizë”, për gati dy vjet, i dha efektet e veta negative në ekonomitë e këtyre vendeve (rënia ekonomike mesatare ekonomisë botërore 2-3%), tronditje të thella të sistemit financiar–bankar (një numër i madh bankash nga më të fuqishmet në SHBA dhe vende të BE-së falimentuan), në shtimin e problemeve sociale, sidomos të papunësisë e të varfërisë (norma e papunësisë iu afrua 10% në SHBA, duke kapur shifrën rekord që nga viti 1982 dhe duke e çuar në 6.9 milionë numrin e vendeve të humbura të punës vetëm në këto dy vjet. Të njëjtat nivele u shënuan edhe në vendet e BE–së) etj.
Por cila është situata e ekonomisë dhe financave ndërkombëtare sot, dy vjet pas krizës që i mbërtheu ato? A po e japin efektin pozitiv masat e marra nga qeveritë e vendeve më të fuqishme të botës dhe e grupimeve të tyre në bashkëpunim me institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare? A po del ekonomia botërore nga recensioni ekonomik dhe nga kjo krizë? 
KRIZA PO ZBEHET-FILLIMI I FUNDIT TE RECENSIONIT
Ndërsa po bëhen gati dy javë që institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB, ato të BE-së, Banka Qendrore Europiane (BQE), si dhe qeveritë e Gjermanisë dhe Francës, Japonisë etj., po japin sinjale pozitive “të daljes së ekonomisë së tyre nga recensioni”, ekonomia amerikane, vetëm pak ditë më parë përcolli mesazhet e para pozitive.
Ishte vetë Presidenti i SHBA-së, Obama, në fjalimin e tij të mbajtur në Wall Street (që ishte tërësisht i dedikuar çështjeve ekonomike e financiare, dy vjet pas krizës globale dhe një vit pas falimentimit të Lehman Brothers Holding INC.) që deklaroi se, “...kriza ekonomike) pas dy vjetësh ka filluar të zbehet dhe ekonomia ka filluar të rimëkëmbet”.
Gjithashtu Presidenti Obama deklaroi se masat mbështetëse shtetërore të ndërmarra për ekonominë amerikane, dhanë efektet e para pozitive dhe ndihmuan taksapaguesin amerikan, i cili doli i fituar në një masë 17%.
Këto deklarata të Presidentit Obama u pasuan menjëherë nga deklaratat e Presidentit të FED-it në SHBA, Ben Bermake, i cili theksoi se, “… recensioni më i keq që nga viti 1930 thuajse po kalon, ekonomia për fat të mirë po jep shenja rritje, pavarësisht se nuk do të japë efekt të menjëhershëm për gati 15 milionë të papunë…”, (vetëm që nga dhjetori i 2007, numri i të papunëve është rritur me 6.9 milionë vetë). Por megjithatë, analistë dhe ekspertë të njohur të ekonomisë dhe financave dhe të tregjeve financiare ndërkombëtare i “tremben”  përsëritjes së ngjarjeve “jo të këndshme financiare” të dy viteve të fundit. Vetë Bermake pohon se ekonomia amerikane po mbijeton me lëkundje të vazhdueshme, që përfshijnë vështirësi të mëdha në marrjen e kredisë nga konsumatorët dhe bizneset, rritjen e kursimeve të privatëve, pakësimin e shpenzimeve duke kufizuar huat e tyre. Këto forca mund të ngadalësojnë rigjallërimin. Ndërsa, Michael Williams, drejtuesi i Tuoro College’s Gradyate School of Business, beson ndryshe, se ekonomia është akoma duke u rrudhur dhe nuk do të kthejë drejtim deri në fund të vitit tjetër dhe se recensioni po vonon të mbarojë. Eshtë kjo arsyeja, që në mesazhin e tij në Wall Street, Presidenti amerikan Obama dëshmoi vendosmërinë e tij për vazhdimin e mbështetjes shtetërore për ekonominë federale, akoma për pak kohë, ndonëse në masë më të vogël.
Nga ana tjetër, në këtë mesazh, Presidenti amerikan siguroi se (të këtij mendimi vazhdojnë të jenë edhe Kryeministri britanik G.Brown dhe Kancelarja gjermane, Merkel) do të kërkojë nga grupi G20, i cili do mblidhet në Pitsburgh në 24-25 shtator, të marrë masa për reformimin e sistemit financiar ndërkombëtar. Përsa i përket tregut amerikan, Presidenti Obama u shpreh pro një sistemi të ri rregullator “new regime of common-sense regulations”, me qëllim shmangien e një kolapsi të ngjashëm me atë të një viti më parë. Kërkoi nga komuniteti i Wall Street-it t’i përqafojë reformat dhe jo t’i luftojë ato. “Nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme që, pasi ta kesh marrë veten me ndihmën e qeverisë të tërhiqesh nga detyrimi për një sistem më të qëndrueshëm, dhe një prosperitet më të gjerë dhe më të drejtë” – u shpreh në vazhdim. Institucionet financiare duhet të rindërtojnë besimin dhe jo vetëm të presin që legjislacioni i ri të hyjë në veprim. Gjithashtu, Obama kërkoi nga Kongresi, që deri në fund të 2009-ës, të miratojë legjislacionin në fjalë me qëllim mospërsëritjen e një krize si ajo e një viti më parë. (Administrata Obama në qershor propozoi ndryshime në sistemin rregullator financiar amerikan. Këto ndryshime përfshijnë ndër të tjera uljen e riskut sistematik që institucione të mëdha financiare i sjellin ekonomisë dhe një institucion rregullator që të kontrollojë produktet financiare për konsumatorët).
PO SHQIPERIA?
Tashmë është e qartë se Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të Europës Lindore dhe të Ballkanit Perëndimor, nuk ishin gjeneruese të kësaj krize, por kryesisht vende të prekura prej saj. Dhe efektet e kësaj krize globale u ndien në ekonominë shqiptare veçanërisht në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar dhe në pjesën e parë të këtij viti. Padyshim që ka një zhvendosje në kohë të gjenerimit të krizës (në vendet ku gjeneroi) dhe pasojat që shkaktoi në krahasim me vendet që konsiderohen vetëm “të goditura” nga kjo krizë. Natyrisht që vendet Europës Lindore dhe të Ballkanit Perëndimor, (përfshi dhe Shqipërinë) falë sistemit bankar të shëndetshëm dhe bashkëkohor dhe të paprekur nga “produktet financiare të infektuara”, stabilitetit makroekonomik disavjeçar dhe reformave strukturore të suksesshme po i përballojnë efektet dhe pasojat e kësaj krize në ekonomitë e tyre. Megjithatë efektet e shfaqura në ekonominë shqiptare, në sistemin financiar të saj dhe në gjendjen sociale të popullsisë, si rrjedhojë e rënies ekonomike të shënuar, e rritjes së deficitit buxhetor dhe të borxhit, rënies së eksporteve, rënies së të ardhurave nga reminitancat (nga emigrantët), rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, të papunësisë, rritjes së kredive të këqija (në tremujorin e dytë të këtij viti kreditë e këqija u rritën me 15.6%, duke arritur shumën totale me një rritje 8.7% ndaj kredisë gjithsej), renditja e një numri biznesesh në listën e “bizneseve për falimentim”, nënçmimi i monedhës sonë kombëtare, lekut, në raport me monedhat e fuqishme ndërkombëtare euron dhe dollarin amerikan, janë pasoja të cilat kërkojnë “vigjilencë” dhe vizion të qartë në politikat ekonomike të zhvillimit dhe ato financiare e buxhetore, për t’u përballuar me sukses me to.
MESIME DHE KONKLUZIONE NGA KRIZA GLOBALE.
1-Megjithëse u duk se kriza globale e gjeti të papërgatitur dhe e tronditi thellë ekonominë dhe gjendjen sociale në botë, duket se në fakt ajo, ekonomia reale, dëshmoi se ishte shumë më e qëndrueshme dhe e konsoliduar e krahasuar me rastet e krizave të mëparshme dhe se ishte shumë më e aftë për ta përballuar atë.
2-Kriza globale po zbehet, recensioni është drejt përfundimit, ekonomia globale po jep shenja të fillimit të rigjallërimit, por pa ndikim të menjëhershëm në uljen e papunësisë. Prandaj mund të thuhet se ekonomia globale është në fillim të fundit të recensionit.
3-Rreziqet në sistemin financiar ndërkombëtar nuk janë kapërcyer përfundimisht dhe mundësitë e risqet e përsëritjes së ngjarjeve dhe tronditjeve ekonomike e financiare të dy viteve të fundit ekzistojnë akoma.
4-Vazhdimi i mbështetjes qeveritare në ekonomi me sa duket do të vazhdojë (në kohë dhe përmasa më të vogla), reforma gjithëpërfshirëse janë të nevojshme dhe veçanërisht reforma në sistemin financiar dhe ato rregullatore mbeten të domosdoshme.
5-”Aleanca Ndërkombëtare Antikrizë”, G-7, G-20, FMN, BB, BQE, vazhdojnë të mbikëqyrin dhe mbështesin me masa konkrete përballimin e plotë të kësaj krize dhe shmangien e kthimit prapa apo përsëritjes së saj.
6-Shqipëria vazhdon të konsiderohet si një vend me ekonomi të prekur nga efektet dhe pasojat e krizës globale.
7-Vazhdimi i ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor dhe e borxhit duhet të jenë prioritet i qeverisjes. Në funksion të kësaj, menaxhimi i financave publike, veçanërisht i shpenzimeve publike (kapitale), zbatimi i politikave fiskale efikase dhe harmonizimi më i mirë i politikës monetare me atë financiare e buxhetore, duhet të jenë në fokus të ndryshimeve të pritshme të buxhetit 2009 dhe sidomos të projektbuxhetit të vitit 2010.
8-Për të përballur me sukses efektet e krizës, ekonomia shqiptare ka nevojë të zbatojë masa dhe reforma strukturore të forta, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe agro-industrisë.
9-Vazhdimi i reformave rregullatore në përgjithësi dhe në sistemin financiar–bankar, janë kushtet e zbutjes së risqeve në këtë sistem dhe garanci për moskthimin në situata të vështira.
10-Shqipëria duhet të shndërrohet nga një vend “nën presionin e euros” në “një vend brenda euros”. Eshtë koha për përgatitjen e një programi me masa e hapa të qartë drejt euroizimit të ekonomisë dhe financave shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›