E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet me të dashurën, tenton t’i vrasë babain

 

Etleva Delia

Përgjimet e Policisë së Burrelit, ndaj një 25-vjeçari që prej tre muajsh kërkohej për trafik droge, parandaluan një vrasje të planifikuar nga emigranti në Tiranë. Ruzhdi Pupla, është kapur në flagrancë nga policia e kryeqytetit në Paskuqan, në momentin që po tentonte të vriste babain e ish-të dashurës së tij. Të riut nga fshati Macukull i Matit, i është bllokuar menjëherë pistoleta, me të cilën dyshohej se do të qëllonte në drejtim të 50-vjeçarit Hamit Izvira. I dyshuari është arrestuar për akuzën vrasje të mbetur në tentativë. Ngjarja ka ndodhur në Paskuqan, mesditën e së mërkurës. Burime nga policia thanë se motivi i tentativës së vrasjes ka qenë fakti që Hamit Izvira nuk e ka lejuar vajzën e tij të fejohej me 25-vjeçarin Pupla. Ky i fundit kishte një lidhje intime 1-vjeçare me vajzën në fjalë. Duke dashur të hakmerrej për kundërshtimin e babait të vajzës, Pupla dyshohet se ishte nisur nga Burreli, me qëllim për ta vrarë atë. Por ngjarja është zbuluar nga Policia e Burrelit, duke qenë se i riu mbahej në përgjim dhe menjëherë është njoftuar Policia e Tiranës që ka parandaluar vrasjen.
PARANDALIMI I VRASJES
Operacioni i koduar “Tujani”, i policisë së kryeqytetit, ka parandaluar vrasjen në Paskuqan, falë informacionit që është dhënë në kohë nga Policia e Burrelit. Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit janë lajmëruar se një person, emigrant i sapokthyer nga Greqia, kishte planifikuar të kryente një vrasje në Tiranë. Sipas të dhënave të policisë së Burrelit, 25-vjeçari Ruzhdi Pupla, ishte nisur nga fshati Shlli, i komunës Macukull të Matit, i armatosur dhe me qëllim për të vrarë babain e ish-të dashurës së tij. Ngjarja është zbuluar, duke qenë se emigranti po mbahej në përgjim, pasi dyshohej se ishte i përfshirë në trafik droge. Për të arritur në destinacionin ku kishte vendosur të kryente krimin, Pupla, nuk kishte përshkuar rrugën automobilistike që lidh Burrelin me Tiranës, por kishte preferuar që të lëvizte në këmbë, duke kaluar nëpërmjet fshatrave të Dajtit, me qëllim që të mos gjurmohej nga policia. Pas informacionit të dhënë në kohë, Ruzhdi Pupla është arrestuar në momentin që i kishte drejtuar armën 50-vjeçarit, Hamit Izvira, gati për ta qëlluar. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës dhe në operacion kanë marrë pjesë oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, ata të Komisariatit Nr.5 dhe të Policisë së Burrelit. Sipas policisë, në momentin e arrestimit, 25-vjeçarit Ruzhdi Pupla, i është sekuestruar edhe arma, e cila ishte bërë gati për shkrepje, një pistoletë tip “Zastava 635”, me dy fishekë. Arma kishe në fole njërin fishek, pasi ishte përgatitur për të qëlluar. I arrestuari është dërguar në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, me akuzat e vrasjes me “paramendim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›