E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë qeverie duhet të presim?

Mentor Nazarko 

Se çfarë qeverie duhet të presin shqiptarët, mund t’i referohemi disa elementëve parathënës. Mënyra sesi e ka
administruar kryeministri hapësirën midis dy  mandateve, përbërja e qeverisë, programi i saj dhe analiza e koniunkturës së brendshme politike dhe institucionale, janë disa prej këtyre elementëve. Le ta nisim me elementin e parë, për të vijuar më pas me të tjerët. Kryeministri Berisha dëfteu dhe konfirmoi frikën e konsoliduar gjerësisht, rregullin e afirmuar mjerisht dhe me shumicën socialiste të Nanos, se një shumicë e konfirmuar për një mandat të dytë është e prirur nga abuzimi me pushtetin e saj. Ky abuzim nisi me mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit, i cili jashtë mandatit mori vendime të rëndësishme, si dhënie licencash ndërtimesh industriale, zgjerime të sipërfaqes së ndërtueshme në kryeqytet dhe rreth tij etj., vendime që në çdo vend normal merren nga një qeveri me mandat të plotë parlamentar dhe jo jashtë tij. Vijoi më pas me shpallje ligjesh të rinj për legalizimin e martesave të homoseksualëve. Kjo u duk si një shaka e hidhur jo thjesht me moralin e shoqërisë apo të bashkësive fetare, por dhe me vetë partnerët europianë, që nga Shqipëria presin krejt objektiva të tjerë, dhe jo që Shqipëria të bëhet vendi i pestë në Europë me martesa të legalizuara të homoseksualëve. Qeveria Berisha, në muajt kur një qeveri normale evropiane thjesht zhvillon veprimtari të administrimit normal, në përpjekje për të dëftyer se po vazhdonte projektet e veta, apo se po mbante fjalën e dhënë, shpalli iniciativën e ndërtimeve shtesa nëpër banesat e qytetarëve të bregdetit. Një lëvizje kjo që do të inkurajojë ndërtimet pa leje apo të egra në ato zona, diçka e vënë re edhe në fillim të mandatit të parë të kësaj qeverie, do të shtojë korrupsionin e pushteteve lokale pikërisht në kohën kur vendi do të duhej të shpallte miratimin e planeve rregulluese për të gjithë territorin për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet prej tij. Kryeministri Berisha e vijoi veprimtarinë e vet parathënëse të mandatit të dytë me disa iniciativa njëfarësoj kërcënuese për potencialin destabilizues të shqiptarëve, ndërsa foli si rrufeja në qiell të verës për gjoja bashkimin e shqiptarëve. Me gjasë, kjo ishte një manovër taktike që synonte të protagonizonte atë në rrafsh rajonal, brenda Kosovës dhe për të moderuar sadopak kritikat perëndimore në drejtim të zgjedhjeve në raportin që po përgatitej. Ishte kjo një lojë që ai e ka bërë dhe në raste të tjera, si për shembull në vitin 1997. Berisha vazhdoi lojën e tij mjaft të dashur të thellimit të diversionit brenda opozitës, diçka gjithashtu jo normale në një vend normal. Dhe porsa mori mandatin e presidentit, të cilin e kërkoi nëpërmjet një figure të dorës së tretë në Presidencë, Berisha rrëfeu në një emision televiziv sesi i kishte bërë presion prokurores për të ndërruar akuzën për ministrin e tij Mediu, një element që kaloi thuajse pa vëmendje nga opinioni publik. Ishte një fakt mjaft domethënës për të kuptuar se ç’lloj marrëdhëniesh do të vendosë kjo qeveri me pushtetet e pavarura. Nuk vonoi shumë dhe pamë një shfaqje të veprës së madhe të presionit mbi këto pushtete:  Gjykata e Lartë konsideroi se ministri Mediu nuk mund të ndiqej penalisht në procesin e Gërdecit, sepse rifitoi imunitetin nëpërmjet zgjedhjes së tij si deputet dhe prokuroria premtoi se nuk do të rikërkonte heqjen e imunitetit të tij në Parlament. Një frymë vërtet konsensuale në administrimin e drejtësisë!
* * *
Le të kalojmë tek përbërja e qeverisë, për të cilën është folur shumë, dhe ndoshta është pak vonë. Ajo reflekton shumë improvizime ndonjëherë të pashpjegueshme, në bujqësi, në drejtësi, në kulturë etj., improvizime që e shenjojnë këtë qeveri si qeveri të ruajtjes me çdo kusht të ekuilibrave të brendshëm, e shpërblimit të skifterëve të debateve televizive dhe fushatës, dhe të mbivlerësimit të LSI-së, që është realisht faktor kyç për mbijetesën morale të qeverisë. Bie në sy veçanërisht zgjedhja në krye të dikasterit të drejtësisë të një politikani që ka lidhje të dobëta me sektorin, dhe që me siguri do të flasë me juristët me gjuhën që ai di të flasë më mirë, një gjuhë e ngjashme me atë të kryeministrit Berisha: jojuridike.
* * *
Le të merremi pak me programin. Pjesa më e madhe hyrëse e programit, madje dhe e referimeve të pardjeshme në sallën gjysmë bosh të Parlamentit ishte e mbushur me vetëlëvdata të pazgjuara të tipit “qeveria Berisha 2 ka vetëm një rival, vetveten”. Pjesa e parë e programit kushtuar reformës administrative gjithashtu ishte e mbushur me slogane boshe dhe abstrakte, përveç vetëlavdërimeve që mbajnë vulën e kryelavdëruesit të vetvetes-kryeministrit Berisha. Shqetësuese ishte dhe shifra 10% e reduktimit të administratës, e cila duket e pashpjegueshme dhe e frikshme. Përgjithësisht në vitin e parë të mandatit të parë këto shkurtime kanë shërbyer për të krijuar vende pune për mbështetësit në pjesën tjetër të mandatit.
Seria e vetëlavdërimeve vijon dhe në pjesën ekonomike të programit, ku shfaqen sloganet fushateske të “Shqipërisë si fuqi energjetike të rajonit, por që vetëm në pjesën e fundit të mandatit “do të shkëputet nga varësia prej kushteve ekstremale hidrike??”. Vetëm zotimet për ndërtimin e rrugëve kanë formë konkrete, por ama prapë diçka e dyshimtë mbetet shifra e 7 mijë kilometrave rrugë të të gjithë kategorive, një mijë kilometra më shumë se shifra e premtuar në mandatin e parë. Asnjë objektiv real fiks në TVSH, taksimin e biznesit etj., por vetëm objektiva të papërcaktuar qartë në mënyrë të verifikueshme. Vetëm tek rrugët kemi përfshirje të objektivave të shpallur në programin elektoral - përndryshe në pjesën tjetër shumica e premtimeve me shifra të bujshme të fushatës nuk duken asgjëkund. Objektivat për stabilitetin makroekonomik duken diçka serioze, por dhe ato janë detyrim jo thjesht i vetëshpallur, por i imponuar. Diku duket objektivi për dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, por po nga vetë hartuesit e programit ai shfaqet si i “vështirë dhe ambicioz”. Objektivi për punësimin duket i reduktuar në raport me fushatën: jo më 185 mijë si u premtua, por 160 mijë të punësuar të rinj. Programi për arsimin dukej diçka serioze në raport me pjesën tjetër të programit, me objektiva edhe numerikë të fiksuar qartësisht.
Ky ishte veçse një shikim i shpejtë i programit të qeverisë Berisha, ku vetëlavdërimet, por dhe reduktimi i premtimeve bombastike të fushatës; mungesa në përgjithësi e objektivave të matshëm në shumë fusha dhe sektorë duken cilësitë kryesore të tij. Diçka jonormale prej një force politike që është në pushtet prej 4 vjetësh, pra që e njeh gjendjen reale dhe duhet të kishte planifikuar zhvillimet për 4 vjetët e ardhshëm.
Për të gjykuar se ç’qeveri do të kemi, na vijnë në ndihmë dhe disa shenja të tjera, mjerisht jo të mira që lidhen me koniunkturën institucionale. Sistemi i drejtësisë, gjykatat dhe prokuroria duket se kanë marrë goditje të forta nga presioni politik, i cili vetëm se mund të rritet në mandatin e dytë; përfundimi i mandateve të anëtarëve të disa institucioneve do të reduktojnë dhe më pavarësinë e tyre. Marrëdhëniet e vështira me institucione si Presidenti, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria, SHISH, nuk janë shenja të mira. Media duket e tulatur dhe duket se në masën më të madhe po ripozicionohet kah qeveria.
E pra, panorama nuk duket dhe aq optimiste mjerisht. Opozita e përfshirë në betejën e vet të brendshme nuk po na tregon sesi do të ndalojë këto zhvillime negative dhe ky nuk është gjithashtu lajm i mirë nga fronti i politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›