E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të bëhemi gati për euron

 

Fabiola Çela

“Nuk e përballojmë dot presionin”. Me këtë fjali, për herë të dytë brenda një jave, kryeministri Berisha ka përsëritur tezën e tij për hyrjen në eurozonë. Dje, ftesa e Berishës iu bë edhe guvernatorëve të Bankave Qendrore të rajonit, në konferencën rajonale të organizuar nga Banka e Shqipërisë me homologët e rajonit. Kreu i qeverisë ka përmendur sektorët që u prekën nga vala e krizës globale. Sidoqoftë, lajmi mbetet i njëjtë. Qeveria kërkon hyrjen në eurozonë, pra zëvendësimin përfundimtar të lekut me euron.
Propozimi
“Euro po bëhet një problem madhor për ekonomitë tona, jo për shkak të kursit, se ky kurs është plotësisht i pranueshëm, por fakti që kjo monedhë e mbështetur në ekonominë më të madhe të botës, siç është ekonomia e Bashkimit Evropian, bën presion mbi monedhat tona. Unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita kur ne duhet të dorëzohemi, nuk do të vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, nuk na mbetet rrugë tjetër”. Për të mbrojtur propozimin e tij, kreu i qeverisë ka përmendur se ekonomia e vendeve të Ballkanit dhe rajonit përbën vetëm 1 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të BE-së. “Eshtë e domosdoshme që disa marrëdhënie financiare me Bankën Qendrore Europiane, duhet të negociohen. Ekonomitë tona po eurizohen, normal. Kjo nuk mund të them që është një gjë e keqpritur, se ky është destinacioni ynë, por kur shoh që edhe skepktikët britanikë kanë filluar të mendojnë ndryshe për euron, imagjinoni ju se ç’mund të mendojmë ne për presionet që na bën ajo”.
Efektet
Sidoqoftë, eurozimi është një proces që do t’i kushtojë financiarisht qytetarëve shqiptarë dhe disa vite vetë qeverisë. Vende të mëdha, si Gjermania, Italia, Franca, kur konvertuan monedhën e tyre me euro, hasën në pakënaqësi dhe inflacion të çmimeve. Logjika e rrumbullakimit bën që çmimet të përafrohen me shifrën më të lartë, ndërsa pagat me atë real. Për të hyrë në eurozonë, ose më saktë që Banka Qendrore evropiane të japë lejen e përdorimit të euros, si hap i parë, pas përmbushjes së kushteve, është vendosja e një kursi fiks këmbimi për një periudhë dyvjeçare. Shembulli është i thjeshtë. Në rast se një euro do të vendosej 130 lekë, si kurs fiks, atëherë gjatë dy viteve të gjitha çmimet do të konvertohen me euro me këtë kurs. Kështu në rast se një biletë udhëtimi sot kushton 200 lekë, e konvertuar në euro do të kushtojë 1.53 euro. Por, linjat e udhëtimit do ta rrumbullakosin këtë shifër në 1.6 euro. Asnjëherë bizneset nuk do të ulin në 1.5 euro çmimin e biletës, pasi do të ulnin fitimin e tyre. Pra, nga rrumbullakosja e konvertimit të çmimeve në euro, do të kërkohet gjithmonë shifra më e lartë. Një gjë e tillë ndodhi në të gjitha vendet që konvertuan monedhën e tyre kombëtare me euro, dhe në të gjitha ato vende që kanë hyrë në këtë proces.
Si bëhet konvertimi
Disa nga kriteret kryesore që BQE vendos për të hyrë në eurozonë kanë të bëjnë me politikat makro të vendit. Kështu, shkalla e inflacionit nuk duhet të jetë më shumë se 1.5 për qind më e lartë se sa mesatarja e tre vendeve anëtare të BE-së me performancën më të mirë (me inflacionin më të ulët). Shkalla e deficitit vjetor qeveritar nuk duhet të kalojë 3 për qind e GDP-së në fund të vitit paraprak fiskal. Nëse jo, është e domosdoshme të arrihet një nivel afër 3 përqindëshit. Vetëm tejkalimet e jashtëzakonshme dhe të përkohshme do të quhen raste të jashtëzakonshme. Shkalla e borxhit qeveritar bruto ndaj GDP-së nuk duhet të tejkalojë 60 për qind në fund të vitit paraprak fiskal. Edhe në qoftë se objektivi nuk mund të arrihet për shkak të kushteve specifike, shkalla duhet të jetë zvogëluar mjaftueshëm dhe duhet t’i afrohet vlerës së referencës në një ritëm të kënaqshëm. Vendet aplikuese duhet të jenë pjesë e mekanizmit të kursit të këmbimit sipas sistemit monetar evropian për 2 vjet rresht dhe nuk duhet ta zhvlerësojnë monedhën e vet gjatë periudhës. Normat nominale afatgjata të interesit nuk duhet të jenë më shumë se dy pikë për qind më lart se në tre shtete anëtare me normën më të ulët të inflacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›