E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Plotësoni standardet për liberalizimin e vizave



Komisioni Europian i kërkon Shqipërisë të dorëzojë brenda nëntorit një raport të detajuar për arritjet e bëra në drejtim të plotësimit të kërkesës përsa i përket liberalizimit të vizave. Kështu bëri të ditur i dërguari i KE-se, Jean Louis de Brower, pas takimit që pati dje me shefin e Diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, ndërsa vuri theksin në mirëmenaxhimin e kufijve. I dërguari i KE-së gjithashtu shtoi se qeveria shqiptare duhet të nisë zbatimin e ligjit për konfiskimin e pasurive të vëna nëpërmjet pastrimit të parave. “Ne presim nga mezi i këtij muaji një raport tjetër nga qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e palës shqiptare në këtë drejtim. Ky raport do të shërbejë si bazë për një vlerësim të mëtejshëm të zyrtarëve të lartë lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Ne e dimë, të dyja palët, se cilat janë standardet në këtë drejtim, dhe me plotësimin e këtyre standardeve, atëherë do të jemi në gjendje që të përcaktojmë pastaj dhe hapat e mëtejshëm dhe kohë për vlerësimin e situatës”, - deklaroi Jean Louis de Brower. Ndërsa ministri Ilir Meta u shpreh se liberalizimi i vizave për shqiptarët do të shënojë një rënie të dytë të Murit të Berlinit. “Për ne shqiptarët, arritja e kësaj marrëveshjeje për liberalizimin e vizave me BE-në është si një rënie për së dyti e Murit të Berlinit që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë. Ndaj ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian për t’i dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave. Dua të shpreh bindjen time se qeveria e konsideron këtë dialog si një aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili ka shënuar një progres tepër të dukshëm”, - është shprehur Meta. I dërguari i Komisionit Europian, De Brower, mohoi mundësinë e shkurtimit të procedurave për Shqipërinë përsa i përket liberalizimit të vizave.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›