E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, prokurorët kërkojnë çdo ditë seanca gjyqësore



Tiranë - Prokurorët e bandës së Durrësit i kërkuan dje në seancën e radhës trupit gjykues zhvillimin e procesit gjyqësor në çdo ditë të javës. Prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra e kanë argumentuar kërkesën e tyre me faktin se për një periudhë prej një viti e gjysmë në sallën e gjyqit nuk ka dëshmuar asnjë person. Në fillim të seancës gjykata pranoi kërkesën e të pandehurve Indrit Dokle, Lulëzim Berisha dhe Indrit Taullai që të përfaqësohen në këtë gjyq nga avokatët e zgjedhur prej tyre, dhe jo nga avokatët e caktuar nga shteti. Pas kësaj seanca është ndërprerë për shkak të mungesës se avokatit mbrojtës Petraq Selmani, i cili përfaqëson të pandehurit Kujtim Buna dhe Indrit Dokle. Avokati përmes një raporti mjekësor justifikonte mungesën e tij në sallën e gjyqit. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale mes tyre disa vrasje të ndodhura pas vitit 1997 kryesisht në qytetin e Durrësit Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit janë arrestuar këto tre vitet e fundit në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka realizuar hetimet për çështjen.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›