Çmimet e karburanteve, në bursa ulen, në Shqipëri rriten sërish
U bë kohë që në tregun botëror çmimi i një fuçie naftë po pëson rënie dita-ditës, vlera e së cilës ka shkuar vetëm dje në bursën e Nju Jorkut nën 50 dollarë për fuçi. Por në Shqipëri ndodh paradoksalisht e kundërta, ku çmimet e hidrokarbureve jo vetëm që nuk ndjekin kurbën ulëse të bursave ndërkombëtare, por në të kundërt vazhdojnë t’i rritin ato. Në krahasim me javën e parë nafta e importuar eurodiesel është ngritur me 5 lekë dhe benzina me 3 lekë për litër. Një litër naftë e cilësisë së parë shitet me 138 lekë, një litër benzinë me 135 lekë dhe nafta e vendit me 133 lekë për litër. Vlera e kësaj të fundit ka mbetur e pandryshuar. Çmimi i arit të zi ndikon drejtpërdrejt jo vetëm të konsumatorët e saj, por edhe në ecurinë industriale të vendit. Para disa kohësh edhe Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar të ndërhyjë për ndryshimin e çmimit të saj, por duket se pozitat monopol të disa kompanive në tregun vendas ia kanë “mbyllur gojën”.
BE-ja, plan ekonomik prej 130 miliardë dollarësh
Komisioni Europian do të prezantojë një plan prej 130 miliardë dollarësh për të rimëkëmbur ekonominë e prekur nga kriza financiare. Lajmin e ka bërë të ditur faqja e internetit e së përditshmes gjermane “Der Spiegel”, e cila sqaron se njoftimi zyrtar për këtë plan do të bëhet më 26 nëntor. Disa detaje të projektit ekonomik të BE-së, janë bërë të ditura nga ministri gjerman i Ekonomisë, Michael Glos. Ai ka shpjeguar se vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian do t’u kërkohet të vendosin 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Glos, shuma monetare do të përdoret kryesisht në infrastrukturë.
Pas Nju Jorkut, me humbje edhe bursat aziatike
Pas rënies së thellë të Wall Street-it, edhe bursat aziatike dhe ato të Paqësorit e kanë mbyllur me humbje ditën e djeshme. Pas kontraktimeve të para treguesi “Nikkei” në Japoni ra me 4.3 për qind, “KOSPI” në bursën e Seulit u pakësua me 4.5 për qind, “All Ordinaries” në Australi u zvogëlua me 3.3 për qind, kurse treguesi “Hang Seng” në Hong Kong humbi 5.1 për qind. Wall Street dje në mbrëmje shënoi humbjen më të thellë që prej marsit 2003. Reagimi negativ erdhi pas publikimeve të mbledhjes së fundit të FED-it që nxori në pah rrezikun për recesion të ekonomisë amerikane vitin e ardhshëm. “Dow Jones” ra me 5.09 për qind, “Nasdaq” humbi 6.53 për qind, kurse “S&P500”, 6.06 për qind.
21 Nentor 2008