E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Gaxhait” Vendimi, 1 burgim përjetë e 100 vite burg për 5 të pandehurit



Pas 5 vitesh gjyqe, herë të zhvilluara dhe herë jo, si dhe pas disa muajsh seancash të shtyra deri në shpalljen e vendimit, më në fund dje trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti dha verdiktin përfundimtar duke dënuar me 1 burgim përjetë dhe 100 vite burg pesë të pandehurit e ngelur gjallë të “Bandës së Gaxhait”, e njohur në Vlorë si banda rivale e Zan Caushit dhe e akuzuar për kryerjen e një sërë veprash kriminale. Në vendimin e tij përfundimtar, trupi gjykues dënoi me burgim përjetë vetëm Gazmend Brakën, kapon e bandës, ndërkohë që anëtarët e saj i shpëtuan burgimit të përjetshëm duke u dënuar me nga 25 vite burg secili. Përgjatë arsyetimit të vendimit, kryesuesi i trupës gjyqësore foli mbi nisjen, funksionimin dhe krimet e kryera nga “Banda e Gaxhait”, provat e marra parasysh në dënimin e pesë të pandehurve, dëshmitë e rëndësishme të cilat fajësonin anëtarët e bandës. Gjykata renditi dëshmitë që provojnë faktet, copëza nga këto dëshmi që provojnë krimet e kryera, si dhe përplasjet e rënda dhe me shumë viktima të dy bandave, asaj të Gaxhait të drejtuar nga Gazmir Brakaj dhe asaj të Zan Caushit. Sipas gjykatës, nga gjykimi ka rezultuar se krijuesi dhe personi që organizonte gjithçka në këtë bandë ishte i pandehuri Gazmir Brakaj. Në të njëjtin rol rezulton të këtë qenë pozicionuar dhe shtetasi Alfred Nebiu (Kakami). Ndërsa të pandehurit Edmond Leskaj, Armando Sulejmani, Sokol Sinomati dhe Gazmend Nebiu kanë qenë pjesëmarrës në këtë organizatë kriminale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›