Rrugorët "grijnë" në gjoba shoferët
TIRANE- Policia Rrugore e kryeqytetit, "grin" me gjoba drejtuesit e automjeteve gjatë fundjavës që sipas saj janë kapur ndërsa shkelnin Kodin Rrugor, gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, si dhe për mos shlyerje të detyrimeve të gjobave ndaj tyre. Policia e kryeqytetit, pohoi dje se kanë kryer kontrolle të ndryshme gjatë dy ditëve të fundjavës dhe gjatë orëve të para të ditës së djeshme.
Sipas saj, nga kontrollet e kryera janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 67 leje qarkullimi të automjeteve të ndryshme. Ndërkaq policia ka pezulluar gjatë ditëve të fundjavës rreth 30 leje drejtimi ndaj drejtuesve të ndryshëm që sipas saj ishin konstatuar me shkelje gjatë kontrolleve të kryera në rrugë. Burimet thanë se një pjesë e mirë e lejeve të drejtimit ishin pezulluar për shkelje të semaforit, ecje me shpejtësi, si dhe drejtim të automjetit në gjendje të dehur.
Kontrollet më të shumta të shërbimeve të policisë rrugore janë përqendruar në akset e unazës, në bulevard si dhe në rrugët interurbane, ku edhe vihet re më së shumti ecja me shpejtësi tej normave të lejuara.
Policia paralajmëroi se do të ashpërsojë masat për këtë fenomen, si dhe për përdorimin e alkoolit nga drejtuesit e mjeteve. Po ashtu policia pohoi se kontrollet do të dendësohen edhe në drejtim të përdorimit të rripave të sigurimit ndaj drejtuesve të mjeteve. Gjatë javës së kaluar, në lidhje me arkëtimet e gjobave policia pohoi se nëpërmjet shërbimit postar ishin arkëtuar 782 masa administrative të likuiduara nga shoferë të ndryshëm.