E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli: Jaho Mulosmani na furnizonte me uniforma ushtarake e policore



Jaho Mulosmani na ka furnizuar me rroba ushtarake dhe policie kur ka qenë efektiv drejtues i policisë. Ky ka qenë deklarimi surprizë i bërë dje nga i penduari Adriatik Coli, gjatë përballjes që pati me avokatët dhe vetë të pandehurin Lulzim Berisha. Teksa u përgjigjej pyetjeve të avokatit Arben Qeleshi dhe klientit të tij, Lul Berisha, në një moment të dëshmisë kur fliste për personin që u siguronte uniformat e policisë apo ato ushtarake, i penduari bëri deklarimin surprizë për avokatët dhe gjykatën, duke u shprehur se “uniformat ushtarake dhe policore na i siguronte Jaho Salihi (Mulosmani) nga Tropoja. Ai kishte kontakte me Lul Berishën dhe na i dërgonte ato me babanë e tij. Mbaj mend kur na i ka sjellë babai i tij disa rroba ushtarake dhe Luli i tha t’i sillte te shtëpia ime”. Ky moment i dëshmisë është shoqëruar me debate mes palëve, ndërkohë që i penduari, pas lidhjeve me Aleks Kekën dhe trafikun e drogës, apo dhe kontakteve me Dritan Dajtin për të eliminuar Lul Berishën, nxjerr në skenë një tjetër emër të dënuar tashmë me “burgim të përjetshëm”. I penduari Coli hodhi dritë dje në dëshminë e tij për lidhjet mes “Bandës së Durrësit” dhe Jaho Mulosmanit, duke e deklaruar këtë të fundit si furnitorin me materiale policore dhe uniforma gjatë kohës kur banda ekzistonte e pandarë. Më tej, seanca disaorëshe u shty për një pushim të shkurtër, për t’u shtyrë të enjten e ardhshme në fillim të saj pas mesdite. Seanca vijon ende me pyetjet e avokatit Qeleshi dhe të pandehurit Lul Berisha dhe për episodet për të cilat i penduari e ka akuzuar.

Hetim tri vrasjeve të reja

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin lidhur me tri vrasjet e reja për të cilat i penduari Adriatik Coli dëshmoi disa seanca më parë. Reagimit të avokatëve, një seancë më parë, prokurorët i janë përgjigjur se për këto vrasje ka një procedim penal dhe janë çështje nën hetim dhe ende pa autorë konkretë, ndaj dhe një seancë më parë kanë depozituar në gjykatë vendimin e fillimit të hetimeve për vrasjet. I penduari i “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, hodhi dritë 20 ditë më parë për 3 vrasje të tjera, të cilat ua atribuoi anëtarëve të kësaj bande. Në deklaratat e tij të radhës para trupit gjykues, i penduari Coli ka bërë të ditur se në dëshminë e tij para prokurorëve ka zbardhur vrasjet e shtetasve Ali Kërtusha, Dorjan Sema dhe Ledion Keci, që sipas tij, janë kryer nga anëtarë të “Bandës së Durrësit”, por që prokuroria nuk i ka përfshirë ato në dosjen e dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokatët mbrojtës të anëtarëve të “Bandës së Durrësit” e kanë akuzuar prokurorinë se nuk u ka dhënë të plotë atyre dëshminë e Adriatik Colit. Ndërkaq, prokurorët e kanë justifikuar këtë fakt me pretendimin se këto ngjarje janë ende nën hetim, duke qenë se nuk ka autorë konkretë dhe për këtë arsye nuk është përfshirë në dosjen e përcjellë në gjykatë. Lidhur me këtë fakt, burime pranë akuzës janë shprehur se Coli ka dhënë deklarime për këto vrasje, por gjatë deklarimeve nuk ka përmendur emrat e të pandehurve, ndaj dhe për këtë fakt nuk kishte asnjë arsye pse duhej t’u jepeshin avokatëve deklarimet për këto tri vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›