Dëshmia: Im shoq, tutori im për një vit
SHKODËR/ Nëna e dy fëmijëve ka bërë apel për mbrojtjen e saj nga personi me të cilin ka bashkëjetuar për 4 vjet
SHKODËR - E strehuar prej disa ditësh në qendrën e gruas "Hapat e Lehtë" në Shkodër, një shtetase nga Tirana ka bërë plubike dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti , madje duke e detyruar, sipas saj, të bëjë dhe punën e prostitutës për një vit radhazi.
Mirela Mitri nga qyteti i Tiranës, nënë e dy fëmijëve të mitur, ka rrëfyer për mediat se si bashkëshorti i saj, njeri me precedentë penalë, siç thotë ajo, e ka dhunuar fizikisht në mënyrë sistematike dhe e ka detyruar të prostituojë.
Me shenjat e dhunës në fytyrë e duar, Mirela rrëfen se si i shoqi e rrihte me rripin e pantallonave dhe ka tentuar t'i presë damarët. Kjo e fundit duket ka ndikuar që gruaja të marrë dy fëmijët e vegjël dhe të largohet nga shtëpia ku ka kërkuar ndihmë tek një qendër gruaje në Tiranë dhe më pas kanë qenë këto që për arsye sigurie e kanë transferuar në Shkodër.
"Më ka rrahur mjaft herë, bënte kot llafe, pa asnjë shkak. Vetë nuk punonte, vetëm vidhte ndonjëherë. Do të dalësh në punë, më tha, para një viti. Të fitosh para. Refuzova, por më rrahu e më nxiu kudo. Të punosh e fitosh lekë si të tjerat, më thoshte. Pranova. Për një vit ai bënte tutorin.
Unë punoja, ai merrte lekët. Erdhi disa ditë më parë dhe më tha se përse nuk ke punuar, dhe unë i thashë se nuk kam mundur. Më tha se gënjen se shokët e vëllait të tij kishin parë një njeri të hyjë. Unë e mohova, bëmë fjalë dhe filloi të më rrihte me rrip, pastaj deshi të më presë damarët. Këtu nuk kam duruar dhe jam larguar bashkë me dy fëmijët.
Për katër net kam qëndruar rrugëve nëpër Tiranë duke u fshehur se mos më gjente", rrëfen Mirela Mitri. Ajo shton se ka bashkëjetuar katër vjet me P.P., nga Tirana, me të cilin ka dhe një djalë 2,5 vjeç, ndërsa nga martesa e parë ka një vajzë 12 vjeçe. Sipas saj, ka qenë vajza ajo që ka mundur të shmangë prerjen e damarëve të së ëmës nga bashkëshorti.
E dhunuar sistematikisht, ajo ka marrë fëmijët dhe është endur nëpër rrugë dhe bashkë me ato pak plaçka që ka marrë me vete, ka dhe thikën me të cilën, sipas saj, i shoqi donte t'i priste damarët, si dhe një pistoletë pa fishekë me të cilin ajo thotë se ai e kërcënonte. Apeli i Mirela Mitrit është që shteti t'i gjejë një strehë ku ajo të jetojë pa frikë, pasi edhe familja e saj nuk ka mundësi ta ndihmojë, edhe pse ajo e ka kërkuar këtë.