E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan "ruletën ruse", plumb vetes në kokë 37-vjeçari

VETËPLAGOSJA/ Gentian Koçi ka qëlluar veten në praninë e bashkëshortes dhe shoqes së saj


DURRËS- Ka vendosur të luajë "ruletën ruse" në praninë e bashkëshortes dhe shoqes së saj pas një nate të kaluar duke pirë, por ka mbetur i plagosur në kokë. Ngjarja ku është luajtur me armën e zjarrit ka ndodhur në lagjen 17 të Durrësit në afërsi të Drejtorisë së Ujësjellësit.


"Ruleta ruse" nuk e ka ndihmuar në fatin e sfiduar 37-vjeçarin Gentian Koçi, i cili ka marrë një plagë të rëndë në kokë dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor të kirurgëve të spitalit të Durrësit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ai ka qenë nën shoqërinë e dy familjarëve të tij në kohën që "po luanin me pistoletën me mulli".


Ngjarja


Gjithçka ka ndodhur rreth orës 10:55. Pas dëgjimit të një krisme dhe ulërimave të 2 grave që ndodheshin në shoqërinë e viktimës 37-vjeçar në lagjen 17, ku Gentiani banonte me qira, janë dëgjuar sirenat e policisë, e cila ështe interesuar për dërgimin e viktimës në spital e më pas për fiksimin e ngjarjes dhe zbardhjen e motiveve të plagosjes me armë zjarri.


Nga ekipi i specialistëve të saj është konstatuar fillimisht se është vetëplagosur me armë zjarri (pistoletë me mulli) shtetasi Gentian Koçi, banues në lagjen nr.17, i martuar, me një fëmijë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tij. Nga veprimet e para rezulton se shtetasi Gentian Koçi është vetëplagosur në kokë me një plumb. Pas dërgimit të tij në spital mjekët kanë konfirmuar gjendjen e tij të rëndë.


Hetimet


Pas fiksimit të vendngjarjes dhe pyetjes se dëshmitarëve të pranishëm është zbardhur edhe pista e vetëvrasjes aksidentale. Sipas të dhënave paraprake mendohet se pasi kanë dëfryer nga nata deri në mëngjes, duke pirë, Gentiani më pas ka marrë pistoletën, për të luajtur "ruletën ruse" (trashëgimi nga luftërat e kalimshekullit të 19 - 20, janë hequr gjashtë fishekë, për të lënë në të vetëm njërin.


Mulliri rrotullohet dhe është vetëm shorti ai që vendos nëse shkrepja është fatale apo jo për personin që shkel këmbëzën). Policia bën me dije se Gentian Koçi duke luajtur me armën duke e drejtuar në kokë dhe është vetëplagosur. Arma e vjetër sikur donte të dilte në "pension" duke bërë një gjëmë të re.


Plumbi i kalibrit të saj 7,62 mm, pas një krisme të thatë e ka goditur në kokë. Këtë version e konfirmon edhe policia e Durrësit. Burime zyrtare nga grupi hetimor kanë dalë në konkluzionin e deritanishëm se "i plagosuri dhe dy familjarët po luanin me pistoletën me mulli".


Rreth orës 11:00 të paradites Koçi, baba i një fëmije, është shtruar me urgjencë në sallën e operacionit, për të minimizuar hemorragjinë dhe dëmet e rënda të pësuara në kokë.


Pacienti është akoma në gjendje tejet kritike për jetën. Nisur nga mekanizmi i ngjarjes dhe pistoleta me mulli, e cila ka realizuar një qitje të vetme, hetuesit dyshojnë se kryefamiljari po luante lojën e "ruletës ruse".


Arma e krimit, një pistoletë me mulli, e sekuestruar nga policia mbahej pa leje nga viktima. Hetuesit bëjnë me dije se të tilla armë që kryesisht kanë qenë trofe lufte, nuk janë më në përdorim që nga viti 1992, ndaj edhe janë të jashtëligjshme.


Armë të tilla kanë dalë për herë të parë në prodhim në vitin 1885 në Rusi në qytetin e Tulës. Më pas janë prodhuar edhe në Belgjikë etj. Xhandarmëria e Zogut ishte e pajisur masivisht me të tilla armë dhe shumë prej ushtarakëve të atyre viteve i kanë ruajtur si kujtim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›