E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët e rikthyer, përfitimet



Në kohën kur vendet fqinje janë prekur nga kriza dhe pritet kthimi në atdhe i mijëra emigrantëve që janë pa letra, qeveria i rikthehet paketës së “ndihmës” për ata që vendosin të investojnë kapitalet e fituara. Kjo qeveri, e njohur mandatin e mëparshëm për një program premtimesh për shqiptarët që janë të destinuar të kthehen në vendin e tyre, kësaj radhe është treguar dorështrënguar. Në projektligjin e miratuar dje në Këshillin e Ministrave dhe që pritet të kalojë për procedura deri në votim në Kuvend, lehtësirat do të jenë vetëm për tarifat doganore të mjeteve dhe përfshirje në programet për zhvillimin e bujqësisë. Në draftin e propozuar nuk ka zgjidhje përfundimtare as për arsimimin e emigrantëve, detyrë kjo që u mbetet sërish shoqatave të shqiptarëve në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Projektligji
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9668, ‘Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi’”. Në këtë draft parashikohet ngritja e një regjistri të posaçëm për emigrantët, të cilët do të jenë edhe përfituesit e shërbimeve të informimit dhe të referimit te autoritetet shtetërore. Pas problemeve të ngritura në kuadrin e kushteve që përcaktonte regjimi i lirë i lëvizjes së shqiptarëve në zonën “Shengen”, qeveria shqiptare përgatit edhe planin e masave për riintegrimin e emigrantëve, pjesë kjo e strategjisë së miratuar nga Këshilli i Ministrave disa muaj më parë. Sipas projektligjit, emigrantët përfitojnë status të veçantë dhe “Dokumentin e statusit të emigrantit”.
“Statusi i emigrantit krijon mundësinë që mbajtësi/titullari i këtij statusi të përfitojë nga kurset e formimit orientues, pa pagesë, për mësimin e gjuhës, ose të njohurive bazë për profesionet e kërkuara nga shteti pritës, për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, si dhe nga programet e nxitjes së punësimit dhe kurset e formimit profesional publik falas për emigrantët e rikthyer”, - thuhet në projektligj. Sipas tij, kriteret për përfitimin e këtyre shërbimeve nga titullari/mbajtësi i statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrave përgjegjës, sipas fushave që ata mbulojnë. (Shih detyrimet që ka çdo ministri).

Problematika
Firmosja e Marrëveshjes së Ripranimit dhe hyrja në fuqi e marrëveshjes për liberalizimin e vizave pritet të shtojë ndjeshëm numrin e emigrantëve ilegalë që janë aktualisht në vendet europiane të zonës “Shengen”. Kësaj i shtohet edhe numri i personave që kthehen për shkak të krizës që ka prekur vendet ku ata ndodhen në emigrim. Pak ditë më parë, autoritetet greke njoftuan se do të kthejnë në Shqipëri më shumë se 150 mijë shqiptarë që nuk kanë bërë asnjë dokumentacion për lejen e qëndrimit apo marrjen e kartës homogjenis. Autoritetet e Athinës kanë paralajmëruar homologët shqiptarë pak javë para hyrjes në fuqi të lëvizjes së lirë në zonën “Shengen” që të marrin masa për riintegrimin e emigrantëve ilegalë. Paketa e propozuar së fundi nga qeveria përmes këtij projektligji nuk është modest krahasuar me premtimet për lehtësira fiskale që kjo maxhorancë bëri gjatë mandatit të parë. Rikthimi pa plane i qindra e mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit do të rritë krizën dhe do të shtojë papunësinë në vend. Hartimi i planeve dhe ofrimi i lehtësirave fiskale për investime i kësaj kategorie mund të shërbejë si nxitje për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në vend, sidomos në sektorin e bujqësisë.

EMIGRANTËT - DETYRAT SIPAS MINISTRIVE

Ministria e Punës

Harton dhe miraton programet aktive dhe pasive të punësimit e të formimit profesional në vend për emigrantët e rikthyer me probleme ekonomike.

Bashkërendon procesin e informimit me autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas fushave përkatëse, si dhe informon për çështjet që i përkasin veprimtarisë së Ministrisë, shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të rregullt, si dhe ata që rikthehen e dëshirojnë të riintegrohen e të qëndrojnë në Shqipëri.

Përgjigjet për bashkërendimin e punës për zbatimin e politikave në fushën e riintegrimit të emigrantëve të rikthyer.

Bashkërendon punën në procesin e negociatave dypalëshe dhe/ose shumëpalëshe, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e punësimit e të formimit profesional, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, sipas parashikimeve të Ligjit Nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore, përgjigjet për sigurimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror, si dhe për mbështetjen për plotësimin e kërkesës për përfitimin e ndihmës ekonomike, për emigrantët e rikthyer.

Ministria e Punëve Publike

Sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për programet sociale të strehimit.

Hartimin e politikave dhe të legjislacionit për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer të pastrehë, nëpërmjet përfshirjes së tyre në programet sociale të strehimit.

Ministria e Bujqësisë

Zbatimin e politikave mbështetëse për emigrantët e rikthyer në Shqipëri, të cilët banojnë në zona rurale, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

Përfshirjen e emigrantëve të rikthyer nga zonat rurale në programet për nxitjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për skemat mbështetëse.

Ministria e Financave

Sigurimin e zbatimit të parashikimeve të Kodit Doganor, për përjashtime nga taksat doganore, për mjetet personale dhe veglat e punës për emigrantët e kthyer.

Sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për skemat e sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë.

Ministria e Ekonomisë

Informimin e emigrantëve të rikthyer për hapjen e një veprimtarie ekonomike në Shqipëri, si dhe për programe mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Krijimin e mundësive dhe dhënien e informacionit të nevojshëm për shtetasit shqiptarë investitorë që jetojnë jashtë kufirit shqiptar, të investojnë në vend në fushat me përparësi për vendin.

Ministria e Arsimit

Hartimin e politikave dhe të legjislacionit për lehtësimin e riintegrimit të fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar në sistemin arsimor shqiptar pas kthimit, dhe njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë.

Hartimin e kurrikulave të veçanta për mësimin plotësues të gjuhës shqipe nga emigrantët e rikthyer deri në moshën 18 vjeç ose 25 vjeç, nëse është duke ndjekur studimet e larta.

Organizimin e shkollave verore për fëmijët e emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Hartimin e programeve të veçanta në fushën e arsimit për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar.

Përshtatjen e politikave kurrikulare me nevojat e emigrantëve të rikthyer për arsimim.

Ofrimin e shërbimit psikologjik në sistemin arsimor ndaj fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar dhe përshtatjen e tyre me shkollën, në marrëdhëniet ndërmjet komunitetit të nxënësve, si dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personelit mësimdhënës.

20 Janar 2011

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›