E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Lushnjes” Arben Kici: Banda e Aldo Bares tentoi të më vriste

Nën statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, si dhe nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura, në Gjykatën e Krimeve të Rënda e ka pasur radhën për të dëshmuar një tjetër person, i plagosur nga anëtarët e “Bandës së Lushnjes”, Arben Kici. Gjatë dëshmisë së tij, edhe kjo e mundësuar me video-konferencë, me qëllim për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me të pandehurit në sallë, mësohet që Kici të ketë shpjeguar me detaje rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. Sipas tij, ka qenë banda e Aldo Bares ajo që tentoi ta vriste, por që fatmirësisht falë ndihmës së shpejtë, arriti të shpëtojë nga vdekja. Pas Kicit, priten të dëshmojnë të tjerë persona që kanë dijeni mbi disa episode kriminale.

Vendimi

Vrau motrën, 15 vjet për Nuhi Prapën

Gjykata e Tiranës dënoi dje me 15 vjet burg të pandehurin Nuhi Prapa, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Ky i pandehur akuzohet se 10 vjet më parë vrau motrën e tij, ndërkohë që bëri të dukej si vetëvrasje këtë krim brenda familjes. Pas disa viteve, oficerët e Policisë Kriminale arritën të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe të vënë në pranga autorin, vëllain vrasës, Nuhi Prapën. Vrasja, sipas të pandehurit, ka ndodhur për çështje nderi, pasi motra kishte shkelur kurorën bashkëshortore. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i mbeten vetëm 10 vite burg për të vuajtur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›