Gjykata e Lartë; Ndryshohet masa, “arrest shtëpie” për Shkëlzen Madanin
Dy muaj pas operacionit policor “Nitromak”, Gjykata e Lartë rrëzoi dje vendimin e marrë nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit për Shkëlzen Madanin, duke e ndryshuar masën e arrestit nga burg në “arrest shtëpie”. Pasi u ka shpëtuar prangave Aurela Çota, tashmë hetimi në gjendje të lirë është vendosur edhe për Shkëlzen Madanin, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve, duke lënë qelinë dhe duke u transferuar në ambientet e shtëpisë. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, i akuzuari për “korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, do t'i nënshtrohet arrestit shtëpiak. Nga katër të arrestuar, tashmë në qeli janë vetëm dy të pandehur. Hetimi për katër të akuzuarit e dosjes së koduar “Nitromak” filloi në janar të këtij viti nga grupi i prokurorëve të Task-Forcës pranë Prokurorisë së Tiranës. Ishte një firmë guroreje, pronarit të së cilës, sipas akuzës, i ishte kërkuar ryshfet për licencën e përdorimit të eksplozivit. Megjithatë, denoncimet janë regjistruar edhe nga firma amerikane “Bechtel” që ndërton rrugën Durrës-Kukës, pasi malli nuk kishte cilësi apo se në inventar kishte dalë sasi mangët.