E Diel, 1 Nëntor 2026

Supergrabitja ; Me karta krediti vodhën 2 milionë euro

Nuk ka qenë rastësi dëgjimi i një bisede në një lokal në Linzë nëntorin e kaluar, kur një përfaqësues i Bankës Amerikane në Tiranë dëgjonte se si katër persona do të vidhnin para nga banka e tij me anë të kartave të kreditit. Tetë muaj më vonë, gjithçka ka përfunduar me prangosjen e 17 personave, si dhe 2 milionë lekë të vjedhura nga bankomatet e bankave të ndryshme në vend

Fantashkenca e parë vetëm në filmat më të fundit hollivudianë nuk ka qenë diçka e pamundur për një grup studentësh shqiptarë, të cilët me anë të kartave të rreme të kreditit, kanë bërë kërdinë në llogaritë bankare nga bankat e ndryshme në vend. Analogjia shkon edhe më tej, kur duket se si për të vazhduar serialin më të ndjekur, ndonëse ende të paxhiruar, “Matrix 4”, policia shqiptare ka finalizuar me sukses kapjen e të gjithë autorëve, si dhe ka zbuluar mekanizmin e supervjedhjeve. Deri tashmë, shuma totale e vjedhjeve përllogaritet në mbi 2 milionë euro, ndërkohë që një hetim 8-mujor i policisë ka mundur të identifikojë dhe arrestojë plot 17 persona si autorë të vjedhjeve. Në krye të tyre qëndron një student i universitetit “Kristal”, dega Juridik, 19-vjeçari Endit Gjergjani (Laro), i cili me anë të disa pajisjeve të strukturuar, ka zhvatur me anë të kartave të kreditit të dubluara shuma të mëdha të hollash në numrat e llogarive të personave të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj në vendin tonë. Të gjitha transaksionet janë bërë në bashkëpunim edhe me bashkëpunëtor të tjerë, ku më pas paratë e përfituara në mënyrë të jashtëligjshme janë shpenzuar për të blerë makina luksoze, bizhuteri apo sende të tjera me vlerë.

Sipas të dhënave të policisë, mbi mekanizmin e përdorur për vjedhjen nga bankomatet e bankave të parave, mësohet se një gjë e tillë është bërë e mundur, duke klonuar kartat e kreditit “Visa” dhe “Mastercard” me informacionet e personalizuara të personave të tretë, autorët kanë mundur të sigurojnë në mënyrë të paligjshme kryerjen e një sërë transaksionesh financiare, ku përfshihet një vlerë shumë e konsiderueshme, e cila do të konkludohet në përfundimin e hetimeve.

Po kështu, hetimet kanë nxjerrë në pah se deri më tani, numërohen të paktën 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., nëpërmjet të cilave, vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në Evropë, Kanada, Angli etj. Nga hetimet mësohet gjithashtu se “truri” i gjithë kësaj, Endrit Gjergjani, nëpërmjet një pajisjeje elektronike të sofistikuar, tashmë të sekuestruar, ka arritur të klonojë karta krediti me informacione të personalizuara, të blera nga hakera kompjuterikë në internet, duke bërë të mundur vjedhjen e shumë llogarive bankare të shtetasve të huaj.

Këto karta me shirit magnetik të përdorshme në vendin tonë ua shpërndante pjesëtarëve të grupit, mes të cilëve edhe punonjësve të bankave të dëmtuara.

Në këtë mënyrë, është bërë e mundur tërheqja nëpër bankomate e vlerave të konsiderueshme monetare, në lekë dhe valutë, pjesë e të cilave është shpenzuar në blerje të sendeve me vlerë, si argjendari, automjete luksoze të prodhimeve të fundit, aksesorë të ndryshëm, në qendra biznesi në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi e Kosovë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›