Fier, pranga shefit të OSSH-së
FIER/ MAJLINDA RAMA
Arrestohet përgjegjësi i arkëtimeve të OSSH-së në Fier. Vangjel Behari u prangos mbrë-mjen e djeshme, pas denoncimit të një qytetari, të cilit i kishte kërkuar 100 mijë lekë për t'i fshirë gjobat e vëna nga faturistët.Por, kërkesa e ryshfetit në vend të parave i ka sjellë prangat 53-vjeçarit. Policia e Fierit, e cila mori denoncimin nga qytetari I.B., organizoi operacionin policor të koduar "Guximi". Forcat e saj kapën në flagrancë Beharin me shumën e parave që kishte kërkuar në këmbim të nderit. Qytetari kishte një shumë të konsiderueshme për të paguar, si pasojë e shkeljeve që punonjësit e OSSH-së i kishin gjetur atij në matës dhe në konsumin e energjisë elektrike. Për të shmangur pagesën e të gjithës shumës dhe për të mos rrezikuar ndërprerjen e energjisë elektrike, ai i ishte drejtuar arkës së OSSH-së për të zgjidhur këtë problem. Në arkën e OSSH-së së qytetit ka takuar përgjegjësin, duke konsumuar dhe "marrëveshjen". Duket se qytetari nuk e ka pranuar këtë zgjidhje që i kërkonte sërish një pagesë të konsiderueshme, duke iu drejtuar policisë. Pas denoncimit nisën procedurat e verifikimit, për të cilat mësohet se Antikrimit Ekonomik i janë dashur disa ditë punë operative, derisa u arrit të dokumentohej vepra penale e "Korrupsionit pasiv në sektorin privat". Rreth orës 18:00 mësohet se shefi i arkëtimeve është takuar me debitorin I.B., Pikërisht në momentin kur Behari ka marrë zarfin në dorë kanë ndërhyrë punonjësit e policisë. Ata i kanë komunikuar akuzën 53-vjeçarit, duke e shoqëruar në komisariatin e Policisë së Fierit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërkohë që do të vijojnë hetimet për të parë dhe verifikuar të tjera raste të mundshme abuzimi të kësaj natyre. Herë pas here qytetarët fierakë janë ankuar se faturistët e OSSH u kanë regjistruar shkelje dhe vendosur gjoba që, sipas tyre, nuk ekzistojnë. Pritet që pas arrestimit të djeshëm të nisin hetimet për raste të tjera të dyshuara për abuzime.