E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, dëshmitari nuk di të thotë emra konkretë



Tiranë - Seanca e radhës për bandën e Lushnjës te Krimet e Rënda vijoi dje me dëshmitarët. Një nga të afërmit e një prej viktimave të kësaj bande dëshmoi dje se edhe pse kishin kaluar kaq shumë vite, ende nuk e dinte se kush e kishte plagosur vëllanë e tij. Për pasojë, edhe pse ishte dëshmitar i thërritur nga prokuroria, sërish dëshmia e tij nuk ishte ndihmesë e madhe për të mbrojtur tezat e institucionit të akuzës. Procesi ndaj kësaj bande ka muaj që ka nisur, por është një proceset që po zhvillohet me ritme tepër të ngadalta. Me cilësinë e të pandehurit në këtë proces janë shtetasit: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Aldo Bare, i cili po ashtu është në proces gjykimi në këtë Gjykatë, por në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Protesta për fabrikën e çimentos, qëllohen policët, arrestohen organizatorët

Fushë-Krujë – Konfrontimi me forcat e policisë gjatë manifestimit të banorëve të një lagjeje kundër ndotjes që shkakton fabrika e çimentos në Fushë-Krujë, është shoqëruar me ndalimin në komisariat të organizatorëve të tij. Sipas të dhënave, manifestuesit janë paralajmëruar që të shpërndahen, por ata nuk reaguan ndaj thirrjeve të policisë, duke i kundërshtuar ata, duke arritur deri në dëmtime trupore të punonjësve të policisë.
“Ndër të dëmtuarit është dhe shefi i Rendit dhe Sigurisë Publike, Agron Brahaj. Shërbimet e policisë, megjithëse kanë mbajtur në kontroll situatën duke bërë thirrje për të negociuar me manifestuesit që të lironin rrugën dhe turma të shpërndahej qetësisht, kjo nuk ka ndodhur. Ndërkaq, për këtë manifestim pjesëmarrësit e tij nuk kishin paraqitur kërkesë për dhënie leje nga Komisariati i Policisë së Krujës”, - thuhet në deklaratën përkatëse të policisë lidhur me këtë ngjarje. Më pas, ajo tregon se si janë ndaluar për këtë arsye, dy organizatorët e protestës në fjalë, Merit Loci dhe Pëllumb Loci, që të dy banues në Fushë-Krujë, për veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “kundërshtim punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga nenet 269, 236, 293 të Kodit Penal.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›