E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga tre personave, akuzohen për kontrabandë mallrash



Tiranë - Oficerët e Policisë së Antikrimit Ekonomik arritën të prangosin tre shtetas, të cilët akuzohen për tregtim dhe transportim të mallrave kontrabande. Sipas një njoftimi të policisë, në kuadër të operacionit “Blu Xhins” u bë dje arrestimi i 35-vjeçarit Albert Daçi, 52-vjeçarit Dedë Gjonaj dhe 59-vjeçarit Sinan Doku. Policia po i hetonte këta persona prej muajsh, por vetëm dje pasdite u bë i mundur arrestimi i tyre. Ndalimi i të sipërpërmendurve u bë te mbikalimi në Qafë Kashar, dhe gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetet e tyre u gjendën të ngarkuara mallra të dyshuara se mund të kenë hyrë kontrabandë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas. Materialet hetimore në ngarkim të të tyre ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Ndërkohë, që policia ka çuar për ndjekje penal në gjendje të lirë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, dy punonjës turni në Doganën e Aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se tre të arrestuarve ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale 500 palë xhinse të llojeve të ndryshme, 500 copë bluza të llojeve të ndryshme, 400 copë fustane të llojeve të ndryshme, 60 copë kostume femrash të llojeve të ndryshme, 20 copë xhaketa të llojeve të ndryshme, si dhe 20 copë funde të llojeve të ndryshme. Mallrat e sekuestruara, vinin nga Turqia, me destinacion Tregun Industrial, në rrugën “5 Maji” Tiranë.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›