E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipoteka, kalimi i pronësisë kur shet apartamentin ose shtëpinë private

Taksat, dokumentet dhe procedurat që ndiqen në të tilla raste. Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme në emër të pronarit të ri

Laureta Rryçi

Tiranë - Në rastet kur shesim shtëpinë, me marrjen e parave nga pronari i ri nuk do të thotë se mbaruan procedurat që shitja të konsiderohet e ligjshme. Pas marrëveshjes për çmimin me blerësin menjëherë duhet të nisësh procedurat në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në varësi të banesës (është apartament ose shtëpi private) depoziton një kërkesë në Hipotekë për kalim pronësie në rast shitjeje. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë të plotë këtë procedurë dhe e sjell atë në numrin e sotëm bashkë me taksat, tarifat dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë për kalim e pronësisë në rast shitje të apartamentit ose shtëpisë private.
Tatimi
Legjislacionet në fuqi kanë përcaktuar masën e tatimit që duhet të paguhet në rast kalimi të pronësisë së paluajtshme. Ndryshimet e fundit janë bërë në muajt e parë të këtij viti. Ministritë përgjegjëse kanë përcaktuar tatimin në varësi të zonës ku ndodhet shtëpia për të cilët është kryer akti i shitjes. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka përcaktuar procedura të ndryshme për rastet kur prona është apartament ose shtëpi private. Për të gjitha shërbimet që kryen Zyra për Regjistrimin e Pasurive janë përcaktuar kode për shkak të sistemit të ri elektronik. Në këtë numër qytetarët do të gjejnë kodet dhe dokumentet që u duhen për të gjitha rastet kur duan të shesin tokën, truallin, godinën apo apartamentin. Në të dhënat e mëposhtme përcaktohet edhe se cili institucion i lëshon dokumentet që duhen për të realizuar procedurën e plotë.
Procedura
Kërkesa për regjistrimin e veprimeve juridike, të fitimit apo kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme, ndarjes apo bashkimit të tyre, kontratave të qirasë, kërkesëpadive, kopjeve të vërtetuara, planeve të rilevimit, marrjes së certifikatave të pronësisë, regjistrimit në hipoteka etj., bëhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në zbatim të Ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, nga kërkuesi vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij të autorizuar, sipas Kodit Civil.
Në formularin e kërkesës, kërkuesi duhet të shënojë qartë emrin, mbiemrin, adresën e saktë dhe/ose orientimin faktik të vendndodhjes, si dhe numrin e telefonit dhe/ose numrin e telefonit celular. Çdo kërkesë, sipas datës së paraqitjes, regjistrohet në regjistrin elektronik të kërkesave, ku shënohen numri dhe data e paraqitjes së kërkesës, si dhe data e përfundimit të aplikimit, sipas rendit kronologjik. Regjistri elektronik i kërkesave kontrollohet çdo ditë nga regjistruesi i zyrës, i cili është përgjegjës për përmbajtjen dhe zbatimin e radhës në trajtimin e praktikave. Të dhënat e këtij regjistri ruhen për një vit nga data e hedhjes së tyre.

Pezullimi i regjistrimit

Në qoftë se një person propozon një marrëveshje për një pasuri të paluajtshme të regjistruar, mund të bëjë një kërkesë te regjistruesi i zonës përkatëse me pëlqimin me shkrim të pronarit, për të pezulluar veprimet për transaksione të tjera të kësaj pasurie. Regjistrimi i çdo dokumenti tjetër lidhur me këtë pasuri të paluajtshme pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur miratohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë.
Regjistrimi i çdo dokumenti lidhur me pasurinë e paluajtshme që përfshihet në këtë marrëveshje pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur paraqitet kërkesa dhe aprovohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë. Në rast se brenda afatit të pezullimit paraqitet për regjistrim një dokument i vlefshëm nga personi që kërkon pezullimin, ky dokument ka përparësi ndaj çdo dokumenti tjetër që mund të paraqitet për regjistrim gjatë këtij afati të pezullimit.

Kur duhet të bëhet pagesa e detyrimit tatimor

Pagesa e detyrimit tatimor bëhet para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme, në ZVRPP, në përputhje me aktet ligjore. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme mbledhin tatimin lidhur me kalimin e së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme dhe e derdhin atë brenda 10 ditëve nga kryerja e veprimeve për llogari të organeve tatimore. Brenda datës 10 të muajit pasardhës, zyrat e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme dërgojnë në degën përkatëse të tatimeve evidencën përkatëse, e cila përmbledh emrin e individit tatimpagues, shumën e llogaritur të tatimit mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë, si dhe numrin dhe datën e dokumentit të derdhjes së këtij detyrimi në organin tatimor. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për njohjen zyrtare të zyrave noteriale me këtë udhëzim, lidhur me respektimin e zbatimit të çmimeve minimale fiskale të përcaktuara. Mosrespektimi i çmimeve në kontratat e noterizuara të shitjeve të pasurisë së paluajtshme konsiderohet kundërvajtje administrative për zyrat e noterisë dhe penalizohen sipas dispozitave ligjore në fuqi. Në rastet kur individët, nëpërmjet aktit noterial, kanë bërë kalimin e së drejtës së pronësisë përpara datës 1 janar 2008, por nuk kanë paguar detyrimin tatimor dhe paraqiten pas kësaj date për të kryer regjistrimin në sportelet e zyrave vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, detyrimi tatimor do të llogaritet sipas dispozitave të Nenit 11 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar me Ligjin nr. 9716, datë 16.04.2007.

1- SHITJE NDËRTESE BANIMI (APARTAMENT)/PERSON JURIDIK (KOMP. NDËRTIMI)

Tarifa: 1500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba dite/ vonesë: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati maksimal i procedurës: 30 ditë pune

Dokumente të nevojshme
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
N29 Kontrate shitje Noteri
A13 Certifikatë pronësie Zyra vendore e RPP
A15 Kartela e pasurisë Zyra vendore e RPP
H4 Planimetri apartamenti Zyra vendore e RPP

2- SHITJE NDËRTESE NGA PERSON FIZIK (SHTËPI PRIVATE)
Tarifa: 1500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba ditë/vonesë: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati maksimal i procedurës: 30 ditë pune

Dokumente të nevojshme
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
N29 Kontratë shitje Noteri
A13 Certifikatë pronësie Zyra vendore e RPP
A15 Kartela e pasurisë Zyra vendore e RPP
H2 Harta treguese e pasurisë Zyra vendore e RPP

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›