E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehej nga mitingu, aksidentohet deputeti i PD-së në Berat



Berat – Një deputet i Partisë Demokratike është plagosur dje pasdite në zonën e Beratit, pasi u përfshi në një aksident. Burime policore thanë se deputeti 59-vjeçar Mehmet Xheka, i Zonës Nr. 74 në Berat, ka qenë duke u kthyer nga një miting që po zhvillonte në Skrapar dhe makina drejtohej nga shoferi i tij. Ndërsa kthehej për të shkuar në Berat, makina u përfshi në aksident. Në rrethana ende të paqarta, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përplasur me një mur rrethues. Që të dy kanë marrë plagë në trup dhe janë dërguar pa vonesë në Spitalin e Beratit. Burime nga ky spital i konfirmuan gazetës “Albania”, se për një ndërhyrje mjekësore më të specializuar, deputeti Mehmet Xheka u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia tha se do të kryejë hetime për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident. Ndonëse i lindur në Shkodër, Mehmet Xheka ka kandiduar për deputet i Partisë Demokratike në Berat, ku ka fituar mandatin që mbyllet më 28 qershor, në Zonën Nr. 74.

Iu fut në shtëpi nga dritarja e banjës, i vodhi 30 mijë lekë dhe celularin

Durrës – Është futur fshehurazi përmes dritares së banjës në banesën e një personi dhe i ka vjedhur në gardërobën e dhomës së tij të gjumit një shumë prej 30 mijë lekësh, si dhe një telefon celular të markës “LG”. Kjo është ngjarja që ka ndodhur së fundi në Xhafzotaj të Durrësit, për të cilën policia raporton se autori i saj është Julian Tafa, 16 vjeç, banues në Fllak të Durrësit. Sipas të dhënave për gazetën, Tafa ka rënë në prangat e policisë tashmë pasi gjatë kontrollit të banesës së tij, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale e lekëve të vjedhura në banesën e Agron E. Materialet për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›