E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkoi lekë për lirimin e trafikantit, Prokuroria nis hetimin e gjyqtarit

Në Tiranë ka nisur procesi hetimor ndaj Qani Hasës, gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit. I kërkoi tre milionë lekë familjes së të dënuarit, por u denoncua për mitmarrje

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Tiranës po heton gjyqtarin e rrethit të Elbasanit Qani Hasa, pas një denoncimi që ka ardhur në drejtim të gjykatësit për mitmarrje. Prokurorët e kryeqytetit sapo kanë nisur verifikimin paraprak të të dhënave që mësohet se janë ofruar nga personat që ishin në kontakt me gjyqtarin për lirimin e një të afërmi të tyre që po gjykohej për shpërndarje të lëndëve narkotike. Familjarët kanë paraqitur në prokurori disa të dhëna që i kanë konsideruar si prova, ndërsa mësohet sipas familjarëve “oreksi” i madh i gjyqtarit i ka lodhur familjarët të cilët kanë vendosur ta çojnë atë përpara një trupi gjykues. Fillimisht çështja ishte në Prokurorinë e Elbasanit, në muajin shkurt nisi hetimi për gjyqtarin në Elbasan, por pas disa ankesash nga pala denoncuese, çështja i kaloi prokurorisë së Tiranës.
Rrethanat
“Pretendimet e familjarëve të personit të arrestuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike kanë bërë denoncimin ndaj gjyqtarit, ndërsa ky i fundit nuk merrte vendimin pa u siguruar se familjarët do të kryenin një pagesë prej tre milionë lekësh. Kjo pagesë është konsideruar si e tepërt dhe e papërballueshme nga familjarët, të cilët në këto rrethana zgjodhën rrugën e denoncimit. Hetimet do vazhdojnë në tentativë për verifikimin dhe dokumentimin e plotë të pretendimit të familjarëve të personit të dyshuar si narko-shpërndarës. Praktika për këtë rast i ka kaluar edhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nga ana e tij po krahason alibinë e denoncuesve me etapat e gjykimit që gjyqtari Qani Hasa ka ndjekur ndaj të ndaluarit për shpërndarje narkotiku”, i tha dje “Albania”-s një burim nga organi i akuzës së kryeqytetit.
Gjyqtarët
Katër muaj më parë KLD-ja denoncoi në Prokurorinë e Përgjithshme me akuzën për korrupsion gjykatësin e Burrelit Vesel Bako. Denoncimi është bërë zyrtarisht pak ditë pasi kryetari i Gjykatës së Burrelit i shoqëruar nga kreu i Dhomës së Avokatisë së këtij rrethi janë paraqitur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku i kanë dorëzuar kreut të Inspektoratit një denoncim të bërë nga një qytetar, si dhe një kasetë me pamje filmike, të realizuara nga i njëjti qytetar ku dallohej qartë gjykatësi duke marrë para. Pas kësaj materiali është konsultuar mes anëtarëve të KLD-së, ndërsa është pyetur edhe gjykatësi, i cili ka pohuar se këto para po i merrte borxh. Në një njoftim zyrtar KLD-ja pohonte se Inspektorati i Këshillit, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e fakteve dhe hetimin e të dhënave mbi një shqetësim zyrtar raportuar pranë këtij institucioni ndaj gjyqtarit Vesel Bako.
Precedentët
Vendimet arbitrare dhe shkeljet apo abuzimi i pastër me detyrën nga ana e gjyqtarëve janë ngritur shpesh si problem, megjithatë asnjëherë nuk është çuar deri në fund verifikimi i denoncimeve për togat e zeza. Rreth 1 vit e gjysmë më parë Ministria e Drejtësisë hartoi raportin e hetimit dhe verifikimit për 10 gjyqtarë të gjykatave të ndryshme, që bashkëpunuan me ekspertët e mjekësisë-ligjore për lirimin e të dënuarve nga qelia, me pretekstin e gjendjes së tyre të rënduar shëndetësore. Një kopje e relacionit të këtij raporti iu dërgua dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e radhës.

Konflikti i pronësisë, plagos rëndë me armë baxhanakun

Burrel – Konflikti për pronësinë në Shqipëri, ka shënuar incidentin e radhës. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, Shaban Musta nga Burreli ka mbetur i plagosur me armë nga baxhanaku i tij për shkak të një konflikti të hershëm për pronën, që nuk po i jepnin dot zgjidhje. Bëhet e ditur se Musta ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë, me 4 plagë në trupin e tij dhe mjekët po tentojnë ta nxjerrin jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa forcat e policisë nga ana e tyre janë duke u marrë me hetimin e mëtejshëm të çështjes në fjalë.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›