Banda e Lushnjës, emigranti dëshmon për torturat që i bënë anëtarët
Procesi ndaj pjesës së dytë të bandës së Lushnjës vazhdoi me të tjera dëshmi të viktimave të dhunës së saj. Një ish-emigrant në Lushnjë tregoi gjatë seancës së djeshme se si në mënyrë sistematike kishte rënë pre e dhunës dhe grabitjes nga ana e anëtarëve të kësaj bande. Niko Qevani dëshmoi para kolegjit penal torturat që i kishin bërë anëtarët e bandës, që janë edhe të pandehur në këtë proces. Sipas dëshmisë së Qevanit, pas torturave, banda i kishte marrë dhe paratë që kishte mundur të siguronte gjatë emigrimit. Dëshmitari specifikoi se pasi e kishin rrahur në mënyrë çnjerëzore, i kishin marrë dhe 200 mijë lekë të rinj që kishte pasur me vete. Pas dëshmisë së tij procesi ka vijuar me katër dëshmi të tjera, po viktima të bandës së Lushnjës. Ndërsa një tjetër problem është bërë publik gjatë seancës së djeshme. Kur kanë kaluar dy vjet nga procesi ndaj pjesës së dytë të bandës së Lushnjës, një memo e avokatëve mbrojtës e bërë për çdo seancë zbulon se prokuroria ka harruar çështjen e Gramoz Selmanit duke e ngatërruar atë nga i akuzuar për vrasje në ngjarjet e Lushnjës, në dëshmitar. Gjykata kishte pranuar më parë ta pranonte dëshminë e tij, marrë në Greqi, por, me zbulimin e fakteve se Selmani ka qenë i pandehur, gjykatësit e refuzuan dëshminë, duke e vënë në vështirësi prokurorinë për vërtetimin e akuzave. Në memon e tyre avokatët këmbëngulën se Gramoz Selmani akuzohet për gjashtë vrasje dhe ka kontradikta në pozicionin e tij në ngjarjet e Lushnjës, madje për të ekzistonte masë arresti në mungesë, ndërsa nuk ka asnjë vendim nga Prokuroria e Lushnjës për pushim të hetimeve. Nuk është e qartë se në ç’rrethana Selmani ka dalë nga lista e të akuzuarve, por me përjashtimin e tij tashmë edhe nga lista e dëshmitarëve, akuza humbi njeriun kyç që kishte provuar vrasjen e gjashtë personave nga banda e Lushnjës. Madje, për të marrë dëshminë e tij, oficerët kishin udhëtuar deri në Athinë, pasi sjellja e tij këtu i rrezikonte jetën.
Policia në alarm, dy fëmijë arratisen nga jetimorja brenda një jave
Brenda 10 ditëve të para të muajit tetor, nga jetimorja e Tiranës “Zyber Hallulli” janë “arratisur” dy fëmijë. Një fëmijë është larguar vetëm tri ditë më parë. Menjëherë punonjësit kanë denoncuar zhdukjen e tij, ndërkohë që policia po punon për gjetjen e tyre, por ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmë të fëmijëve të mitur. Kjo ka sjellë shqetësim edhe te organet e policisë, të cilat shprehen se këta fëmijë mund të bien lehtë viktima të trafikut dhe askush nuk mund të kujdeset për ta. Oficerët e Policisë Gjyqësore gjithashtu janë përfshirë në hetimin e këtyre dy rasteve, duke dyshuar se mund të bëhet fjalë për ndonjë skemë të mundshme të trafikimit. Prej disa ditësh kanë nisur kërkimet, por ende nuk është rënë në gjurmët e tyre. Sipas të dhënave hetimore, rasti i dytë brenda pak ditësh është shënuar tri ditë më parë, kur një punonjëse e shtëpisë së fëmijës "Zyber Hallulli" është paraqitur në Komisariatin Nr. 1 për të kërkuar ndihmë për fëmijën e humbur, e për më tepër, për të pyetur se çfarë është bërë me denoncimin e parë, që u krye më 4 tetor. 35-vjeçarja, e cila punon prej kohësh në këtë institucion, ka shpjeguar në denoncim se një ditë pas denoncimit të parë është larguar një tjetër fëmijë. Ajo është shprehur se fëmija 13-vjeçar, i cili quhet Kasëm L., është larguar rreth orës 11:00 të paradites së të hënës. Më tej, në deklarim është shprehur se shtëpia e fëmijës e ka pritur të larguarin që të kthehet, por ai nuk është kthyer më, kështu që është detyruar t‘i drejtohet policisë për ndihmë. Madje ajo ka dhënë edhe tiparet e fëmijës së larguar, bashkë me një fotografi të bërë në ambientet e shtëpisë "Zyber Hallulli". Ndërsa fëmijët e tjerë kanë treguar se atë ditë 13-vjeçari ishte i mërzitur, kështu që kishte vendosur të largohej. Policia tha se menjëherë ka nisur kërkimet. Për grupin hetimor fakt shqetësues mbetet zhdukja e dy fëmijëve brenda pak ditësh, pasi nga ky institucion ka pasur edhe denoncime të tjera, por brenda pak orësh fëmijët janë rikthyer. Në fillim të muajit tetor një 12-vjeçar u denoncua nga shtëpia e fëmijës "Zyber Hallulli", i cili ishte larguar dhe deri sot ende nuk ka informacion zyrtar nëse ai është kthyer sërish. Denoncimi për largimin e tij është bërë nga përgjegjësit e shtëpisë së fëmijës.
10 Tetor 2009