E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderët, 6 vjet burg e 35 milionë lekë gjobë dy zyrtarëve të “Punës”

TIRANE – Gjashtë vjet burg dhe 35 milionë lekë të vjetra gjobë ishte dënimi i Gjykatës së Tiranës për tre të akuzuarit për abuzimet në tenderët në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 Gjyqtari i çështjes deklaroi fajtor për “korrupsion pasiv” Spartak Gjinin, ish-sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie dhe Llambi Tarkën, anëtarin e komisionit të prokurimit në disa tenderë në këtë institucion. Ndërsa për ortakun e vetëm të ish-firmës fituese të tenderëve që ka kryer abuzimet, Fiqiri Pali, gjykata e dënoi me një vit burg nën akuzën e korrupsionit aktiv. Po kështu gjykata aplikoi edhe dënimin me gjobë për ta duke akorduar nga 13 milionë lekë të vjetra gjobë për Gjinin e Tarkën dhe 9 milionë për Palin. Ndërsa për Gjinin dhe Tarkën pati edhe nga një masë tjetër ndëshkimore, ku sipas gjykatës të parit i ndalohet për tre vjet të mbajë poste shtetërore ndërsa tjetrit dy vjet. Më parë gjykata u kishte pranuar të pandehurve kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces, pasi këta janë shprehur dakord që çështja të zgjidhej në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Vetë të pandehurit në gjykatë mbajtën qëndrim mohues për akuzën, duke pretenduar gjithashtu se Prokuroria nuk kishte arritur të siguronte prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tyre. Ndërkohë Prokuroria, e cila kërkoi 10 vite burg dhe dënime edhe me gjobë për të pandehurit, pretendoi në gjykatë se ata kanë abuzuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin në një tender që kap vlerën e 39 milionë lekëve të reja, për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Punës. Dy zyrtarët dhe biznesmeni u prangosën në fillim të nëntorit të vitit të kaluar pas denoncimit të aferave korruptive mes tyre, duke paracaktuar si fituese të tenderit firmën e Palit. Hetimet ndaj tyre kishin filluar pak javë më parë, pas denoncimit të kryer nga një ndërtues tjetër, firma e të cilit ishte skualifikuar nga tenderi pa të drejtë. Pas marrjes së denoncimit prokuroria nisi verifikimet dhe hetimet ndaj tyre, ku fillimisht u pohua se kishte rezultuar se dy zyrtarët janë të përfshirë në afera korruptive në tenderin e kësaj ministrie. Më pas Gjini e Tarka u akuzuan edhe për shkelje në dy tenderë për ndërtimin e qendrave sociale në rrethe. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›