E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, prokuroria tërhiqet nga dëshmia e të penduarit

Procesi Organi i akuzës “fshin” nga lista Petrit Liçin, ndodhet jashtë vendit. Dëshmon daja i Tur Dajës: Nuk mbaj mend asgjë

Prokuroria e Krimeve të Rënda tërhiqet nga dëshmia e të penduarit Petrit Liçi për Bandën e Lushnjës, pasi nuk ndodhet me “banim” në Shqipëri, por është strehuar jashtë shtetit, si “dhuratë” nga shteti për fundosjen e grupit të Aldo Bares. Në këtë mënyrë, prokuroria ka hequr dorë nga dëshmitari kyç, i njohur si njeriu që me pendesën e tij fundosi “shokët”. Një vit pasi e kërkuan në procesin e mëparshëm, prokurorët nuk e shohin të arsyeshme që Liçi, aktualisht në liri dhe nën mbrojtje nga shteti të sillet në Shqipëri për të folur edhe për pjesën e dytë të bandës. Sipas organit të akuzës, do të merren në konsideratë çfarë ai ka thënë përgjatë muajve kur zgjati gjyqi ndaj pjesës së parë të kësaj bande, pasi ngjarjet që akuzohen të pandehurit janë të njëjta. Sipas të dhënave nga akuza, Petrit Liçi ka folur edhe për vrasjen e Tur Dajës në vitin 1998, koka e të cilit pas ekzekutimit u shëtit nëpër qytet.

Në fillim të procesit gjyqësor, në listën e emrave që do të thirren për të dëshmuar, ishte i shënuar edhe emri i Liçit, personit që zbërtheu gjithë veprimtarinë e bandës. Ai ka folur gjatë kundër “plakut” dhe ushtarëve të tij në pjesën e parë të gjykimit të të pandehurve. Rrëfimi i Petrit Liçit është konsideruar si një ndër provat më kyçe dhe të rëndësishme për organin e akuzës, madje ka zgjatur për dhjetëra seanca.

Ndërkohë që seanca e radhës kundër pjesës së dytë të pandehurve të Bandës së Lushnjës vazhdoi dje me dëgjimin e dëshmitarëve.

Daja i Artuar Dajës ishte njëri prej tyre. “Artur Dajën e kam nip, djalin e motrës. Nuk di gjë nëse jeton ende”, deklaroi Xhavit çela, me frikën se banda do të hakmerret. Më parë, çela, sipas akuzës, ka dhënë detaje të vlefshme për vrasjen e nipit të tij, një prej personave të eliminuar nga grupi që drejtohej për vite me radhë nga Aldo Bare ose i quajtur ndryshe Alfred Shkurti. I thirrur nga gjykata për të dëshmuar mbi atë që i ndodhi familjes së motrës së tij, Xhavit çela, ndonëse në moshë të thyer, tha se nuk mban mend asgjë, madje as faktin që nipi është vrarë apo është gjallë. Në një dëshmi kontradiktore, daja i viktimës tha se nuk dinte nëse nipi i tij kishte vdekur apo ishte gjallë, nuk dinte se kush ia kishte vrarë dhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me djalin e motrës së tij. çela kishte harruar se në dosjen e prokurorit ekzistonte një tjetër dëshmi e dhënë prej tij. “Alfred Shkurtin e kam njohur te shtëpia e motrës sime. Me Shkurtin më ka prezantuar nipi im, Artur Daja, dhe Lorenci. Ata ma prezantuan Alfred Shkurtin si shok të tyrin. Një natë kur erdha në shtëpi pas pune gjeta motrën time, e cila po qante. Ajo më tha që grupi i Alfred Shkurtit i kishte djegur shtëpinë dhe e kishte përzënë. Gjithashtu, ajo më tregoi se Alfred Shkurti kishte rrahur dhe dhunuar burrin e mbesës sime, të cilin e kishte lënë të vdekur. Gjatë kohës që motra qëndroi në shtëpinë tim ajo qante dhe thoshte gjithmonë se Alfred Shkurti i kishte vrarë djalin. Para shtëpisë së motrës qëndronte një furgon i blinduar me ngjyrë të bardhë, në të cilin ishte banda e Shkurtit”, do të deklaronte më parë Xhavit çela. Dëshmia e mësipërme është lexuar nga prokurorët dje në sallën e gjyqit, duke kundërshtuar në këtë mënyrë thëniet në gjykatë. Dëshmitari i radhës ka qenë një administrator i lagunës së Karavastasë, i cili ka treguar disa detaje nga funksionimi i pronës. Ai tha se nuk kishte dijeni se pronari ishte pikërisht Aldo Bare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›