Ushtari komando i aksidentuar operohet të hënën
Kapiteni Alban Kurti, efektivi komando, që ndodhet në spitalin ushtarak, që nga dita e martë kur u aksidentua gjatë një demonstrimi stërvitor do të operohet nga mjekët shqiptarë të Spitalit Qendror të Ushtrisë pas tri ditësh. Ndërsa Kurti do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale më e mirë paraqitet gjendja shëndetësore e vartësit të tij tetar, Albert Kuçaj, i cili ka shpëtuar paq me fraktura dhe mbahet nën vëzhgimin e mjekëve ortopedë. Kuçaj do të qëndrojë për disa ditë në spital, ndërsa pak më e gjatë do të jetë koha e qëndrimit në regjim spitalor e Alban Kurtit. Bluzat e bardha thanë për gazetën “Shqip” se ndërhyrja kirurgjikale në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore të Kapiten Kurtit do të bëhet ditën e hënë. Po sipas tyre, efektivi i regjimentit Komando është jashtë rrezikut për jetën dhe nuk paraqitet nevoja që të dërgohet jashtë shtetit. Ndërhyrja nuk u bë e menjëhershme, pasi nën kujdesin e mjekëve atij po i bëhen ekzaminime të tjera për të parë parametrat e tij shëndetësorë para ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërsa drejtues të repartit të shqetësuar nga paraqitja me bujë e incidentit ku mbetën të plagosur dy ushtarakët nuk ngurrojnë të thonë se gjatë stërvitjes janë të parashikuara edhe dëmtime të mundshme ndaj strukturat mbështetëse të ndihmës së shpejtë janë gjithnjë të pranishëm. Dita e martë ka rezultuar e pafat për dy ushtarakët komando teksa ata janë rrëzuar nga helikopteri gjatë stërvitjes së një grupi të Forcave Speciale Komando të Zall-Herrit, kandidatë për misionet ushtarake paqeruajtëse jashtë vendit.
#