Banorët ankohen: Nuk na ndihmuan si herën e parë
Në ditën e 10-të të përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës situata po vjen drejt përmirësimit. Rrugët e disa komunave dje kanë qenë të kalueshme nga të gjitha automjetet. Kështu, rruga nacionale Shkodër-Velipojë mund të kalohet me furgonë dhe mjete të larta, ndërkohë që raportohet se edhe situata në rrugën e malit të Jushit po normalizohet. Situata mbetet problematike në zonën e Obotit, ku ndonëse ka një rënie të nivelit të ujit, sërish rruga e fshatit mbetet e pakalueshme. Tërheqja e ujit po bëhet shumë ngadalë, edhe për shkak të reshjeve të shiut që vazhdojnë të bien me intensitet në Qarkun e Shkodrës. Për pasojë fshatrat Trushi i Poshtëm në Komunën Bushat, fshati Luarëz dhe Cast në Komunën Velipojë, fshati Obot dhe Gocaj në Komunën Ana e Malit, fshatrat Pentar, Shirgj dhe Darragjat në Komunën Dajç janë ende nën prezencën e ujit. Ndërkaq, drejtuesit e Prefekturës së Shkodrës pohojnë se situata është drejt përmirësimit dhe janë duke u mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtuesit vendorë, për çdo problem të mundshëm. Por, nga ana tjetër, banorët e zonave të përmbytura për herë të dytë, shprehen të pakënaqur. Ata ankohen se nuk janë ndihmuar dhe nuk kanë parë të njëjtën gatishmëri si në rastin e përmbytjes së parë, ndërkohë që kanë bërë sërish thirrje për nisjen e verifikimeve të dëmeve nga grupet e ekspertëve.
#