E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i Ftohtë, sërish përplasje për pronën, bllokohet rruga nacionale

Protestuesit rrëzojnë një pjesë të gardhit. Kërcënojnë me protesta të vazhdueshme

Shënohen sërish përplasje mes ish-punonjësve të NB-së Frutore në Vlorë dhe sipërmarrësve të firmës së ndërtimit që po ndërton në zonën e Ujit të Ftohtë. Dje me dhjetëra banorë që pretendojnë pronësinë e sipërfaqes së tokës prej 45 mijë m2 që u rrethua tri ditë më parë nga sipërmarrësit e ndërtimit, kanë shkuar dhe kanë kërkuar të drejtën e tyre të përfituar në bazë të ligjit nr. 7501. Fillimisht ata kanë protestuar përpara zyrave të regjistrimit të pasurive të rrethit, ku kanë kërkuar takim me drejtoreshën e këtij institucioni për të ballafaquar dokumentet e pronësisë dhe lejes së dhënë ndërtuesve që aktualisht kanë rrethuar tokën. Por, pasi nuk kanë mundur të marrin asnjë kontakt me drejtues të këtij institucioni, ata janë kthyer në zonën e rrethuar nga investitorët dhe janë përplasur me disa prej tyre.

Përveç fryrjeve dhe sharjeve reciproke mes të dyja palëve, ish-punëtorët e NB-së Frutore kanë rrëzuar një pjesë të gardhit rrethues. Pas kësaj, protestuesit kanë bllokuar për disa minuta qarkullimin në aksin nacional Vlorë-Sarandë. Më tej ata janë shpërndarë qetësisht, ndërsa kanë paralajmëruar me protesta të mëtejshme, duke kërcënuar se do të bllokojnë tërësisht aksin nacional.
Aktualisht në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë vilave qeveritare, është dhënë një leje ndërtimi, e cila ka shkaktuar konflikt palësh. Nga njëra anë janë ish-punonjësit e NB-së Frutore Vlorë, që pretendojnë pronësi në bazë të ligjit nr. 7501 dhe nga ana tjetër janë personat që kanë përfituar lejen e ndërtimit. Realisht toka në fjalë figuron të jetë në procese gjyqësore mes palësh, ndërkohë që ndërtuesit kanë rrethuar sipërfaqen e tokës, duke vendosur disa llamarina dhe një portë hekuri në hyrje të pronës, gjë që ka ngjallur zemërimin e pronarëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›