Kakavija me gardh,pasagjerët pa shërbime
Sheshi i madh i Doganës së Kakavijës gjatë këtyre 10 ditëve të fundit ka ndryshuar pamje plotësisht. Prej ditësh një gardh rreth 1.5 metra i lartë me kangjella hekuri ka rrethuar sheshin kryesor, duke izoluar plotësisht territorin ku kryhen procedurat e përpunimit dhe kontrollit doganor, me vargun e gjatë të zyrave dhe lokaleve private të vendosura anash sheshit, që me “gjuhën” e ligjit dhe të standardeve europiane quhet “zona e kontrollit doganor”. Tashmë zona e kontrollit policor dhe procedurave doganore është ndarë plotësisht nga pjesa tjetër ku janë vendosur të gjitha shërbimet e nevojshme për tregtarët dhe udhëtarët.
“Rrethimi”Prej dy javësh territori i Doganës së Kakavijës është vënë nën vëmendjen e disa kontrolleve të njëpasnjëshme nga shërbimi europian doganor dhe nga ekipet e kontrollit të misionit policor europian MAPE në Tiranë. “Në fokus të këtyre monitorimeve është respektimi i standardeve ligjore shqiptare dhe atyre të KE-së për procedurat doganore dhe policore të kontrollit fizik të mjeteve dhe udhëtarëve. Por edhe vendosjen e sporteleve e pikave të tjera të kontrollit dhe peshimit në hapësirat e territorit në zonën doganore. Sipas modeleve dhe standardeve europiane zona doganore detyrimisht duhet të jetë e izoluar plotësisht nga territori ku janë vendosur shërbimet private”, tha për “Shqip” kreu i Doganës së Kakavijës, Arben Meshi. Sipas tij, rrethimi me gardh i zonës së kontrollit doganor është bërë për të përshtatur skemën e vendosjes së pikave të kontrollit në territorin e doganës me këto standarde, duke e veçuar nga godinat e shërbimeve private. Ndërkaq, drejtim tjetër i përshtatjes së procedurave shqiptare me ato europiane, është edhe adaptimi në Kakavijë i parimit europian “një ndalesë, një kontroll”, që do të thotë se çdo automjet, apo udhëtar që ndalon vetëm një herë brenda “zonës së kontrollit doganor” do të kontrollohet për: pasaportën, dokumentacionin e automjetit, kontrollin fizik etj. Në kuadrin e këtyre ndryshimeve bëjnë pjesë edhe vendosja e doganierëve dhe policëve në të njëjtën pikë kontrolli, organizimi i ri i parkingut të doganës, të automjeteve të punonjësve të doganës e policisë dhe atij të taksive.
ReagimiTë parët që kanë kundërshtuar rrethimin e zonës së kontrollit doganor me gardh hekuri kanë qenë pronarët e bizneseve, punonjësit e filialeve të bankave, shoqërive të sigurimit, agjencive të shërbimit privat doganor dhe ata të pikave të shërbimit kafe e fast-food. Këta ndihen “të izoluar” nga klientët e tyre, të cilët kryesisht janë udhëtarët e autobusëve dhe automjeteve që lëvizin në të dyja anët e kufirit. “Nuk mund ta kuptojmë këtë ‘integrim’ të izoluar me gardhe hekuri, udhëtarët, tregtarët dhe turistët që vijnë nga larg dhe ndalojnë këtu për të kryer kontrollin doganor e policor. Gjëja e parë që kërkojnë është një shishe ujë, një tualet për të kryer nevojat personale, por me këtë izolim është vështirë që të arrijnë ta realizojnë, pasi brenda hekurave nuk ka asnjë pikë për këto shërbime”, thotë pronari i një bar-kafe në Kakavijë. Por megjithëse territori brenda rrethimit të hekurt është zbrazur nga njerëzit dhe i mbajtur mjaft i pastër nga autoritetet e doganës e policisë kufitare, përtej gardhit të porsavendosur ngrihen male të vërteta me plehra. Në Kakavijë mungon uji dhe tualetet, mungon një skemë që jo vetëm të respektonte standardet, por të bënte sa më funksionale edhe të gjitha shërbimet e tjera jetike, jo vetëm për udhëtarët, por edhe për vetë personelin që shërben në këtë doganë, që renditet e treta në Shqipëri pas doganave të Durrësit dhe Tiranës.
#