Përmbytje, dhjetë banesa nën ujë
Prej tri javësh, 50 banorë në Urën Vajgurore janë izoluar nga uji, ndërkohë ata ankohen se ende nuk është ofruar një rrugëzgjidhje nga ana e bashkisë. Reshjet e shiut të rëna gjatë ditëve të fundit dhe mungesa e kanalizimeve në anë të rrugës kanë bërë që ujërat të përfundojnë në banesat e banorëve të lagjes “4 Shtatori” të qytezës. Uji ka përfshirë katet e para të banesave, duke dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake, oborret e shtëpive dhe tokat e mbjella. Banorët thonë se prej ditësh jetojnë mes ujit dhe për të dalë e hyrë nga shtëpitë e tyre përdorin dritaret dhe shkallë prej druri. Ata kërkojnë ndihmën e bashkisë për ndërtimin e kanaleve në anë të rrugës, pasi nëse reshjet e shiut vazhdojnë dhe në ditët në vijim banesat e tyre do të dalin krejtësisht jashtë përdorimit nga vërshimi i ujit. Por, burime nga bashkia e këtij qyteti bëjnë me dije se punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve po punojnë për pastrimin e kanaleve ekzistuese, por mungesa e të ardhurave e ka bërë të pamundur investimin për kanale të reja.
#