E Diel, 1 Nëntor 2026

Mokër, nis evakuimi i 45 familjeve

Fenomeni Rrëshqitja e tokës dëmton shtëpitë e fshatit Laktesh

Shkëputja e një masivi dheu dhe çarja e tokës kanë dëmtuar të paktën 45 banesa në fshatin Laktesh të Komunës së Velçanit në zonën e Mokrës. Një shtëpi është shembur plotësisht, ndërsa shumë të tjera kanë pësuar çarje të mureve. Shtëpitë e vjetra të fshatit rrezikojnë të shemben nga momenti në moment, për shkak të avancimit të përditshëm të masivit të dheut. Hava Hyka, një e moshuar e fshatit Laktesh, thotë se ka mbetur në qiell të hapur pas shembjes së shtëpisë. 72-vjeçarja është strehuar prej katër ditësh te djali i saj, banesa e të cilit ka pësuar çarje për shkak të afërsisë me zonën që është prekur nga rrëshqitja. “Nuk kemi ku t’i vendosim çadrat, është ftohtë dhe toka është gjithandej e çarë. Ne po jetojmë nën tmerr. Shtëpia ime është shembur dhe këto ditë i kam kaluar te djali, por dhe shtëpia e tij është e dëmtuar. Të gjitha shtëpitë do të shemben se toka është çarë shumë dhe mali po afrohet me dheun dhe baltën nga rrëshqitja”, thotë e moshuara. Si ajo janë edhe 45 familje të tjera, të cilat jetojnë çdo ditë me frikën e shembjes së banesave. Kryetari i Komunës Velçan, Ilir Mani, thotë se fshati Laktesh është në prag katastrofe. “Gjendja është alarmante, madje mund të themi se është në prag katastrofe. Shtëpitë kanë filluar të shemben dhe deri tani dy banesa janë rrënuar plotësisht. Janë gjithsej 45 shtëpi që kanë pësuar çarje dhe aktualisht nuk ka një mundësi për strehimin e tyre. Evakuimi i familjeve më të rrezikuara ka nisur dhe nga ana e prefekturës janë sjellë 30 çadra ku do të strehohen familjet më emergjente që janë prekur nga shembjet në banesa”, thotë Mani. Ndërkaq ka nisur evakuimi dhe përkohësisht banorët do të strehohen në çadra deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate. “Do të kërkojmë fonde për të bërë kullimin e ujërave dhe bllokimin e avancimit të mëtejshëm të rrëshqitjes në pjesën ku ndodhen shtëpitë”, ka thënë prefekti i Korçës, Andrea Mano. Por sipas banorëve, jetesa në çadra në këtë zonë është e pamundur, për shkak të lagështirës dhe rrëshqitjes së vazhdueshme të tokës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›